Site icon Telegrafi

Turqia do ta mbështes zhvillimin ekonomik të Kosovës

Turqia si vend mik do të vazhdojë të mbështes Kosovën në të gjitha proceset, e veçanërisht në rrugën e saj drejt zhvillimit ekonomik, ka deklaruar Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kivilcim Kiliç gjatë takimit që zhvilloi sot me kreun e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Vadrin Lluka.

Ministri Lluka ka vlerësuar lartë marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Turqi, ku një vend të rëndësishëm zë edhe bashkëpunimi i mirë ekonomik, duke theksuar interesimin e Qeverisë që ky bashkëpunim të avancohet edhe më tutje.

Më tej, Ministri Lluka ka njoftuar diplomaten turke me orientimet e MZHE-së, ku ka nënvizuar sektorët strategjikë si energjia, minierat, teknologjia e informacionit, sektorë të cilët sipas tij janë mjaft atraktivë për investime të jashtme, përfshirë edhe investitorët turq.

Turqia hyn në vendet me nivel më të lartë të investimeve direkte në Kosovë, duke llogaritur këtu investimet në sektorin e energjisë dhe atë të infrastrukturës.

Nga ana e saj, Ambasadorja Kiliç, duke uruar Ministrin Lluka për detyrën e re, ka shprehur vullnetin e shtetit turk për të avancuar agjendën ekonomike mes dy vendeve në interes të të dyja palëve. /Telegrafi/

Exit mobile version