Telegrafi

Turqia shfuqizon orën policore nga 1 korriku

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi se ora policore do të shfuqizohet nga data 1 korrik, pasi vendi regjistroi një rënie të numrit të rasteve me coronavirus.

Sidoqoftë, Erdogan tha se sallat e koncerteve dhe sallat e tjera ku luhet muzikë duhet të mbyllen para mesnatës pasi, siç tha ai, “askush nuk ka të drejtë të shqetësojë të tjerët”.

“Nga 1 korriku, kufizimet për të dalë do të hiqen plotësisht”, tha Erdogan në një fjalim televiziv.

Kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë u lehtësuan më 1 qershor, kur restorantet dhe kafenetë u rihapën.

Sidoqoftë, ora e ndalimit në mbrëmje ishte ende në fuqi nga ora 22:00 dhe gjatë gjithë ditës të dielave.

Turqia regjistroi sot 5.200 raste të reja dhe 51 vdekje, pasi arriti kulmin e më shumë se 60.000 të infektuarve çdo ditë në fillim të prillit.

Vendi me 83 milionë banorë ka përshpejtuar vaksinimin e popullatës me Pfizer/BioNTech javët e fundit, si dhe vaksinën kineze CoronaVac.

Deri më tani, 28.1 milionë persona në Turqi kanë marrë dozën e parë të vaksinës dhe 14.4 milionë dy doza. /kp/Telegrafi/