Turqia mund të vendosë sistemin rus të mbrojtjes S-400 Triumf në kufirin me Irakun për ofensivën e saj të planifikuar verore kundër “Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK”.
Një veprim i tillë do të shënonte dislokimin e parë operacional të sistemit raketor që kur Ankaraja e mori atë në vitin 2019, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Mediat turke raportuan në fillim të këtij muaji se S-400 i Turqisë mund të vendoset në kufi, duke nënkuptuar se do të mbrohet kundër dronëve që supozohet se janë blerë nga PKK.
Por sistemi është efektiv kundër kërcënimeve më të mëdha se dronët.
Ai është projektuar për të rrëzuar raketa si ato të lëshuara nga Irani në sulmin e tij të paprecedentë të 13 prillit kundër Izraelit dhe vendosja e tij mund të përkeqësojë tensionet me aleatët e tjerë të NATO-s.
Siç kujtojnë mediat, marrëveshja për S-400 i kushtoi Turqisë rreth 2.5 miliardë dollarë.
Dhe më pas Uashingtoni ia mohoi Ankarasë blerjen e F-35 për shkak të shqetësimeve se do t’u jepte teknikëve rusë të dhëna që “dëmtojnë fshehtësitë e gjuajtësit”.
Mbi të gjitha këto, SHBA vendosi sanksione ndaj agjencisë turke të prokurimit të armëve.
Ndërsa i duronte këto “dënime”, Turqia nuk e vuri kurrë në shërbim S-400.
Ndryshe, pas dorëzimit të sistemit, zyrtarët e SHBA paralajmëruan Turqinë kundër “aktivizimit” të tij.
Që atëherë, nuk ka pasur asnjë indikacion që S-400 të Turqisë janë vënë në veprim.
Megjithatë, në nëntor 2022, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Hulusi Akar tha se Ankaraja “nuk ka probleme me S-400” dhe se sistemi “është në vend dhe gati për përdorim”.
Andaj, vendosja e tij e ardhshme e supozuar në kufirin me Irakun do të jetë hera e parë që S-400 turke do të vihen në përdorim pesë vjet pasi Ankaraja i mori ato.
Ali Bakir, një ekspert i Turqisë, është skeptik ndaj raportit, por nuk e hedh poshtë plotësisht mundësinë.
“Ky mund të jetë një ‘testim reagimesh’, një kërkesë operacionale për shkak të kërcënimit të huaj në Irakun e Veriut, ku janë vendosur trupat turke, ose thjesht një lajm i pavërtetë”, ka thënë Bakir për Business Insider. “Nëse S-400 vendoset për nevoja operacionale, mund të jetë për t’iu kundërvënë kërcënimit të mundshëm të raketave balistike të Iranit”.
Siç thuhet më tej në shkrim, edhe pse sistemet tjera të mbrojtjes të Turqisë janë të afta të luftojnë kërcënimet ajrore nga PKK, Turqia kërkon një sistem të avancuar për përgjimin e raketave balistike të lëshuara nga Irani.
E Bakir tha se sulmet e fundit raketore midis Izraelit dhe Iranit mund të jenë një arsye tjetër për vendosjen e S-400 në lindje të Turqisë. /Telegrafi/