Site icon Telegrafi

Turqia raporton mbi 32,000 raste të reja me COVID-19

Turqia ka regjistruar 32,381 të tjera infeksione të coronavirusit, duke përfshirë 6,511 raste simptomatike, gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të lëshuar të enjten.

Ndërkohë, sipas medieve vendase, përcjell Telegrafi, rreth 4,190 pacientë u rikuperuan gjatë ditës së kaluar, duke e çuar numrin në 418,331, ndërsa numri i të vdekurve u rrit në 14,316, me 187 viktima të reja.

Siç është bërë e ditur më tej, më shumë se 187,518 teste për COVID-19 u kryen në të gjithë vendin, duke e çuar totalin në mbi 19,14 milionë.

Ndërkohë, thuhet se numri i pacientëve në gjendje kritike tani qëndron në 5,611.

“Zonat e mbyllura dhe të mbushura me njerëz janë mjedise ku virusi transmetohet më lehtë. Ne duhet t’i kalojmë muajt e dimrit duke shmangur zona të mbushura me njerëz dhe të mbyllura”, tha ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca në Twitter, duke kërkuar që publiku të ndjekë masat anti COVID-19 dhe të qëndrojë në shtëpi.

Ndryshe pandemia e COVID-19 ka marrë më shumë se 1.49 milion jetë njerëzish në 191 vende dhe rajone që nga dhjetori i kaluar.

Mbi 64,72 milionë raste janë raportuar në të gjithë botën, me më shumë se 41.64 milionë të shëruar, sipas shifrave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins i SHBA-së.

Ndërsa SHBA, India dhe Brazili mbeten vendet më të goditura për sa i përket numrit të rasteve, Evropa është “në kthetrat” e një vale shkatërruese të dytë infeksionesh. /Telegrafi/

Exit mobile version