Turqia ka kritikuar vendimin e UEFA-s për t’i dhënë mbrojtësit Merih Demiral një dënim me dy ndeshje moslojë për festimet e tij në 1/8-tën e Euro 2024.
Demiral shënoi dy gola në fitoren 2-1 të vendit të tij në fazën e 1/8-tës ndaj Austrisë të martën, duke i rezervuar atyre një ndeshje çerekfinale me Holandën.
Por festimi i diskutueshëm i 26-vjeçarit pas golit të tij të dytë shkaktoi një hetim të UEFA-s për “sjellje të papërshtatshme”.
Që atëherë është konfirmuar një ndalim me dy ndeshje “për shkeljen e rregullave bazë të sjelljes së denjë, për përdorimin e ngjarjeve sportive për manifestime të natyrës josportive”.
Gjesti i Demiralit, një ‘përshëndetje e ujkut’, lidhet me Ujqërit Gri, një grup ekstremist i ekstremit të djathtë në Turqi.
Megjithatë, tani, menaxheri i ekipit të parë të Turqisë, Vincenzo Montella dhe mbrojtësi i krahut Ferdi Kadioglu kundërshtuan vendimin dhe këmbëngulën se ai ‘nuk ishte një gjest politik’ nga qendërmbrojtësi.
“Ne e konsiderojmë këtë ndalim të padrejtë. Nuk ishte një gjest politik. U interpretua si i tillë, por thjesht nuk u kuptua siç duhet”.
“Por, kjo nuk do të frenojë krenarinë turke. Në fakt do të jemi më të pasionuar, më krenarë dhe jam i sigurt se të gjithë do të jemi shumë të motivuar”, ka thënë Montella në konferencë.
Ndërkohë, edhe Kadioglu konfirmoi se gjesti nuk ishte politik dhe e cilësoi si turp vendimin e UEFA-s.
“Mendoj se festimi i Merihut nuk kishte të bënte me gjëra politike. Ai dëshironte të festonte me tifozët turq dhe kombin turk në të gjithë botën, dhe ne e shohim atë krejtësisht të padrejtë”.
“Sigurisht që është turp që ai mori këtë pezullim, por dikush tjetër do ta zërë vendin e tij për këtë ndeshje dhe do të bëjë mirë”, ka thënë Kadioglu.
Ujqërit Gri, të quajtur zyrtarisht Ulku Ocaklari, është lëvizja rinore e Partisë Lëvizja Nacionaliste – e cila është në koalicion me Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në pushtet të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan. /Telegrafi/