Site icon Telegrafi

Turqia nis përgatitjet e teksteve shkollore për lëndën e gjuhës shqipe

Në Universitetin e Thrakisë në Edrene të Turqisë ka filluar përgatitja e përmbajtjes së teksteve shkollore për lëndën e gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake, të cilat nga viti i ardhshëm akademik do të futen si lëndë zgjedhore në shkollat e Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Profesorë të gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake janë duke punuar intensivisht për përgatitjen e teksteve, pas miratimit të planprogramit të përgatitur.

Rektori i Universitetit të Thrakisë, Erhan Tabakoğlu, thotë se janë krenarë që ata marrin pjesë në një detyrë të tillë.

“Secilit që i tregojmë, e pranon këtë fakt me kënaqësi. Ky lajm është pritur me gëzim të madh si në Shqipëri, dhe vendet ku flitet gjuha boshnjake. Edhe ata thonë të fusin gjuhën turke. Gjithsesi, ne jemi komunitete farefisnore. Kemi histori dhe kulturë të përbashkët. Edhe kjo afërsi në aspektin gjuhësor do të jetë tregues i afërsisë sonë edhe në shumë aspekte të tjera”, ka thënë ai.

Tabakoğlu është i mendimit se këto lëndë do të avancojnë bashkëpunimin.

“Duke i mësuar, brezi i ri do t’i njohë më së miri trojet dhe gjuhët për të cilat ndiejmë dashuri. Kjo, nga ana tjetër, do të mundësojë ngritjen e marrëdhënieve tona në nivel më të lartë”, thekson Tabakoğlu.

Şahin Kılıç, kryetar i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Boshnjake në Fakultetin e Letërsisë në Universitetin e Thrakisë, njoftoi se lënda e gjuhës shqipe dhe ajo e gjuhës boshnjake do të mësohen për klasat 5,6,7 dhe 8. Ai shpreh besimin se këto lëndë në të ardhmen do të japin kontribute të mëdha për rritjen e komunikimit me Ballkanin.

Ndërkaq, Esin Ömer, anëtare e stafit akademike në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, thotë se pas përfundimit të teksteve shkollore, do të marrin mbështetje edhe nga Fakulteti Pedagogjik në aspektin teknik dhe nga fakulteti i arteve të bukura për vizatimet dhe ngjyrimet në tekste.

Edhe Cüneyt Nur, anëtar i stafit akademik në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Bosnjake, thekson se tekstet në fjalë do të përbëhen nga pjesë për lexim, të cilat, sipas tij, do të jenë të dobishme për ta zhvilluar komunikimin e përditshëm si dhe pjesë në lidhje me sintaksën dhe morfologjinë, duke marrë parasysh edhe aspektin kulturor. /AA/

Exit mobile version