Site icon Telegrafi

Turqia: Nëse s’hiqen vizat marrëveshja me BE anulohet

Turkey's Foreign Minister Ahmet Davutoglu speaks during his joint news conference with his Jordanian counterpart Nasser Judeh at the foreign ministry in Amman October 26, 2011. REUTERS/Muhammad Hamed (JORDAN - Tags: POLITICS)

Turqia ka paralajmëruar Perëndimin se nëse nuk i përmbahet zotimeve të parashikuara në marrëveshjen për emigrantët, as ajo nuk do të përmbushë detyrimet e saj.

“Vazhdoj të besoj se vizat për Turqinë do të hiqen në qershor. Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë askush nuk mund të presë që Turqia të respektojë angazhimet e saj, të parashikuara në marrëveshjen për emigrantët”, ka deklaruar kryeministri Ahmet Davutoglu.

Këtë deklaratë shefi i qeverisë turke e ka bërë pak para nisjes drejt Strazburgut, ku këtë të martë do të takohet me presidentin e Komisionit Europian, Jean Claude Juncker.

“Turqia është një interlokutor serioz. Ajo bën atë që ka premtuar dhe nuk bën lëshime sa i takon asaj që i është premtuar”, ka shtuar Davutoglu.

I një linje me shefin e ekzekutivit ishte dhe ministri i Jashtëm Mevlut Cavusoglu. Ligjvënësve në Ankara ai u tha se Turqia do ta anulojë marrëveshjen nëse blloku nuk e mban fjalën e dhënë.

“Pakti që arritëm me BE-në ishte shumë i qartë. Ne duam që kjo tragjedi njerëzore të marrë fund dhe duam që qytetarët tanë të udhëtojnë pa viza. Nëse Bashkimi Europian nuk e mban fjalën e tij, ne do t’i anulojmë të gjitha marrëveshjet”, tha Cavusoglu.

Marrëveshja e arritur më herët gjatë vitit mes Bashkimit Europian dhe Turqisë për refugjatët parashikon kthimin e atyre që kanë arritur Europën veriore drejt Turqisë e më pas në vendet e origjinës. /TCH/

Exit mobile version