Qeveria e Erdoganit ka bërë shumë gabime dhe tani është më e izoluar se kurrë…
Përplasja që ndez Lindjen e Mesme po përshkon tashmë kufijtë e Turqisë, që është bërë papritur e cenueshme. Nga shpresat e “pranverave arabe” te gabimi që vunë bast mbi terrorizmin e gabuar dhe që nuk kanë më miq, mbi të cilët të mbështeten.
Turqia apo për të qenë më të saktë, turqit, po e paguajnë shtrenjtë gjendjen konfuzionale ku ka rënë, që prej një viti e këtej, qeveria e tyre. Që kur u bë e qartë se revolucionet arabe kishin dështuar, udhëheqësit e Ankarasë kaluan nga një gabim në tjetrin, me rezultatin e të gjendurit sot me copa lufte të Lindjes së Mesme të importuara në territorin e tyre. “Lufta kundër terrorizmit” e shpallur në të katër anët nga Erdogani, nuk pati rezultat tjetër përveç rritjes së terrorizmit, siç tregon seria historike e atentateve të kryera në Turqi: 2007, dy atentate dhe 10 viktima; 2008, dy atentate dhe 22 viktima; 2009, një atentat dhe 10 viktima; 2010, dy atentate dhe nëntë viktima; 2011, nëntë atentate dhe 24 viktima; 2012, 78 atentate dhe 104 viktima; 2013 dhe 2014, dy vitet e armëpushimit me PKK-në, përkatësisht dy atentate dhe 52 viktima, një atentat dhe një viktimë; 2015, gjashtë atentate dhe 141 viktima; 2016, deri më 13 mars, katër atentate dhe 86 viktima.
“Pranverat arabe” i kishin ofruar Turqisë shpresën se mund ta eksportonte modelin e vet mysliman demokratik dhe ekonomikisht dinamik. Grushti i shtetit në Egjipt – në korrik 2013 – e varrosi atë perspektivë. Egjipti, vendi arab me popullsi më të madhe, me histori dhe traditë politike më të pasur, paraqiste për sytë e qeverisë së Ankarasë “xhevahirin e kurorës” dhe ëndrrës për të restauruar rrjetin politik të Lindjes së Mesme të Perandorisë së vjetër otomane. Kalimi i Kajros nga sfera e ndikimit turk në atë saudit paraqiti një goditje shumë të fortë, ndoshta vdekjeprurëse, për strategjinë politike të endur me durim nga Erdogani dhe nga ministri i tij i atëhershëm i Jashtëm, Ahmet Davutoglu.
Fundi i pranverës siriane jo vetëm do të treste një copë tjetër të asaj ëndrre, por do ta shndërronte në makth. Një Siri e kontrolluar nga Bashar Al-Asadi, në fakt, përqendron tri kërcënime për Turqinë: 1) si skaji perëndimor dhe mesdhetar i harkut shiit, tashmë pa ndërprerje pas “zaptimit” iranian të Irakut; 2) si bazë detare (Tartus) dhe aeronautike (Latakia) e arkirivalit rus; 3) si bazë e operacioneve të kurdëve të PKK-së, dhe bërthamë e mundshme e një Kurdistani të ardhshëm të pavarur pikërisht në kufijtë e saj jugorë. Këto tri arsye të ndihmojnë të kuptosh këmbënguljen me të cilën udhëheqësit e Ankarasë kanë mbështetur armiqtë e Asadit.
Mes këtyre të fundit, milisienët e ISIS-it janë shfaqur, të paktën që nga 2014-a, më të vendosurit në tkurrjen e Asadit në kështjellën e tij alavite, dhe në luftimin e kurdëve sirianë. Por duke mbështetur ISIS-in, Erdogani bëri të njëjtin gabim fatal të Shteteve të Bashkuara me muxhahedinët afganë, të Pakistanit me talebanët apo të Algjerisë me terroristët e saj. Ato lëvizje i përgjigjen vetëm pjesërisht një logjike politike dhe logjika e tyre milenariste – nëse për logjikë mund të flitet – është krejtësisht jashtë kontrolli. Të kafshojnë dorën e atij që i ushqen është mënyra e tyre për të afirmuar pavarësinë e tyre, aq më shumë nëse ai që i ushqen do të vazhdojë t’i ushqejë edhe pasi është kafshuar.
Një gabim tjetër fatal ishte prishja e armëpushimit me kurdët e PKK-së dhe aleatët e tyre sirianë të YDP-së. Sot, duket e qartë që ajo prishje nuk kishte vetëm motivime elektorale, por ishte e një karakteri më strategjik: me pushtimin e Kobanës, kurdët sirianë vendosën një rrip kontrolli në kufirin me Turqinë, që është konkretizimi i njërit prej maktheve më të këqija të Ankarasë.
Prapë ishte një gabim të mendonin se Shtetet e Bashkuara do të rreshtoheshin sidoqoftë në anën e Turqisë. Por, në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara po i rishikojnë përparësitë e tyre. Dhe mes këtyre nuk është, me siguri, përballja me rusët për t’i bërë qejfin Erdoganit.
Strategjia për të cilën profesor Davutoglu-ja u kooptua në qeverinë islamike demokratike të Erdoganit përmblidhej nga parulla “zero probleme me fqinjët”. Trembëdhjetë vjet më pas, Turqia ka probleme shumë të mëdha me të gjithë fqinjët e saj, por edhe me miqtë më të largët.
Me përjashtim të Europës. Pasi u sollën harbutërisht me turqit për të paktën dhjetë vitet e fundit, tani europianët po pësojnë prepotencën e harbutit turk, i cili, jo vetëm merr revanshin e mundimeve të kota të së shkuarës, por mbështetet me të gjithë peshën e saj mbi të vetmen anë që i ka mbetur. Në këtë rast, gabimi i mëtejshëm mund të ishte konsiderimi i Europës ende një anë.
Në të shkuarën, forca tërheqëse e procesit europian ka përkulur regjime shumë më të trasha se ai turk: nga Greqia te Spanja dhe te Portugalia deri te vendet e Europës Qendrore dhe Lindore duke kaluar nëpër prishjen e “demokracisë së bllokuar” italiane të fillimviteve nëntëdhjetë. Në të shkuarën më të afërt, forca e saj tërheqëse e kishte shtrënguar Turqinë të hiqte dorë nga disa trashëgimi kemaliste autoritare, si e drejta e vetos së ushtarakëve mbi jetën demokratike.
Por mundësia për ta lidhur Turqinë me Europën dhe me rregullat e saj mori fund me vendimin francez për të bllokuar për një afat të pacaktuar procesin e anëtarësimit të saj. Siç shkruante profetikisht Samuel Huntingtoni më 1996-n, “në njëfarë pike, Turqisë do të mund t’i vinte në majë të hundës roli frustrues dhe poshtërues i lypësit që kërkon me ngulm një vend në gjirin e Perëndimit, dhe do të mund të rimerrte rolin e saj historik shumë më mbresëlënës dhe eminent të bashkëbiseduesit islamik kryesor dhe antagonist i Perëndimit.
Sot, një pjesë e Europës do të donte sërish një Turqi të përulur dhe lëmoshë-kërkuese. Por forca tërheqëse nuk ekziston më: iku bashkë me grindjen e pahijshme mbi refugjatët dhe me kompromisin e vështirë me Britaninë e Madhe.
E rrethuar nga armiq, e braktisur nga miqtë, dhe pa mbështetje të sigurta në Europë, Turqisë i mbetet “lufta ndaj terrorizmit” e Erdoganit. Me rezultate që i dimë. /Përktheu: Adrian Beshaj/