Turqia sonte u bashkua me vendet e tjera evropiane që ndaluan fluturimet nga Britania dhe vendet e tjera për shkak të shqetësimeve rreth një lloji të ri më infektues të coronavirusit.
“Është raportuar se shkalla e transmetimit është rritur në Britani me mutacionin e coronavirusit”, shkroi ministri turk i Shëndetësisë Fahrettin Koca në Twitter.
“Sipas direktivave të presidentit tonë në koordinim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, është vendosur një pezullim i përkohshëm për fluturimet nga Britania, Danimarka, Holanda dhe Afrika e Jugut për në vendin tonë”, tha Koca.
Masa erdhi pasi disa vende evropiane, duke përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Austrinë, njoftuan pezullimin e fluturimeve nga Britania pas lajmeve rreth mutacionit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë gjithashtu u kërkoi vendeve evropiane të dyfishojnë masat e tyre shëndetësore për shkak të llojit të ri që përhapet shpejt. /AA/