Parlamenti i Turqisë miratoi një ligj për kontrollimin e medieve sociale, ndërsa kritikët thonë se ky vendim do të rrisë censurën.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, partia në pushtet e presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, e kishte mbështetur këtë projektligj, ndërkaq miratimi i vendimit u bë i ditur nga parlamenti, përmes rrjetit social Twitter.
Ligji parasheh që faqet e huaja të medieve sociale të emërojnë përfaqësues në bazat turke të cilat duhet t’i adresojnë shqetësimet e autoriteteve për përmbajtjet e caktuara dhe parashihet edhe heqja e materialeve të ndryshme.
Bëhet e ditur se shumica e medieve kryesore në Turqi kanë qenë nën kontrollin e qeverisë gjatë dekadës së fundit.
Përpara miratimit të projekt-ligjit, një zëdhënës i Komisionit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, tha se “shteti me vendimin e ri do të ketë edhe më shumë kontroll në medie”. /Telegrafi/