Partitë opozitare të Turqisë u zotuan të martën të luftojnë një ligj që lejon largimin dhe në disa raste vrasjen e katër milionë qenve endacakë të vendit.
Ligji, për të cilin adhuruesit e kafshëve kanë frikë se do të çojë në vrasjen e një numri të madh qensh, megjithëse qeveria e mohon këtë, u miratua sot pavarësisht protestave të opozitës.
Ligjvënësit që kundërshtuan projektligjin mbanin doreza të bardha të lyera me gjak të rremë gjatë debatit.
“Ne do ta kundërshtojmë këtë ligj në gjykatën kushtetuese sa më shpejt të jetë e mundur. Ai shkel të drejtën e kafshëve për jetë”, tha Ozgur Ozel, kreu i opozitës kryesore Partia Popullore Republikane (CHP), sipas AFP.
Përfaqësuesi i CHP-së, Aliye Timis Ersever tha pas miratimit të ligjit se sot është një ditë e zezë, shkruan euronews.tr
As historia dhe as njerëzimi nuk do t’i falë ata që votuan “po””, tha ajo.
Qeveria pretendon se endacakët që konsiderohen të sëmurë ose të pakontrollueshëm duhet të eutanizohen për të parandaluar rritjen e numrit të sulmeve dhe përhapjen e tërbimit.
Ligji urdhëron që qentë e tjerë të pastrehë duhet të vendosen në strehimore të kafshëve ose të jepen për birësim.
Kritikët thonë se do të jetë e pamundur të vendosen të gjithë qentë endacakë në strehimore për shkak të numrit të madh të qenve dhe në vend të kësaj do të mbrojnë një fushatë sterilizimi dhe vaksinimi masiv. /Telegrafi/