Telegrafi

Turqia kryen sulme ajrore në Irakun verior pas sulmit vetëvrasës në Ankara

Turqia ka kryer një sulm ajror në Irakun verior pas një sulmi vetëvrasës me bombë në kryeqytetin Ankara, tha ministria e saj e mbrojtjes.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, sulmi ajror shkatërroi 20 objektiva që i përkisnin grupit militant kurd PKK, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Ankara.

Ndryshe, më herët të dielën, dy oficerë policie u plagosën në një sulm në Ankara, disa orë përpara se parlamenti të ishte planifikuar të rihapte punimet pas një pushimi veror tre-mujor.

Dy terroristë kryen sulmin, tha ministri i brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya. Njëri vdiq nga shpërthimi dhe tjetri u vra në një shkëmbim zjarri me policinë.

Ndërsa në një deklaratë në X, ish-Twitter, një zëdhënës i qeverisë turke tha: “Operacione ajrore u kryen kundër objektivave terroriste në rajonet Metina, Hakurk, Kandil dhe Gara në veri të Irakut në orën 21:00 më 1 tetor dhe kundër Organizatës Terroriste Separatiste (BTO)”.

“Gjithsej 20 objektiva, të përbëra nga shpella, bunkerë dhe magazina të përdorura nga terroristët përgjegjës, janë shkatërruar”.

“Shumë terroristë u neutralizuan duke përdorur sasinë maksimale të municioneve vendase dhe kombëtare në operacionet e kryera”. /Telegrafi

/