Site icon Telegrafi

Turqia e gatshme ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në institucionet dhe mekanizmat e sigurisë

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka zhvilluar sot një bisedë telefonike, me Ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Turqisë, Suleyman Soylu, i cili shprehu gatishmërinë e vendit të tij për përkrahje të vazhdueshme për Kosovën për anëtarësimin në institucionet dhe mekanizmat e sigurisë.

Veliu falënderoi homologun e tij turk, për përkrahjen që Republika e Turqisë i ka ofruar Republikës së Kosovës, në veçanti Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës në ngritjen e kapaciteteve të tyre.

“Soylu shprehu gatishmërinë e Republikës së Turqisë për përkrahje të vazhdueshme për Republikën e Kosovës për anëtarësimin në institucionet dhe mekanizmat e sigurisë. Me këtë rast të dy ministrat e Punëve të Brendshme u pajtuan që të takohen në një të ardhme të afërt për intensifikim të bashkëpunimit mes të dy vendeve, me qëllim të forcimit të institucioneve ndër-shtetërore në sundimin e rendit dhe ligjit si dhe sigurisë në këtë pjesë të Ballkanit”, thuhet në komunikatë.

“Gjatë bisedës, ministrat diskutuan edhe për bashkëpunimin ndër-shtetërore mes dy vendeve sa i përket fushës së sigurisë dhe sigurimit të mbështetjes së Turqisë në avancimin e mekanizmave të sigurisë. Po ashtu u diskutua edhe për lëvizjet migratore që po përdorin territorin e Republikës së Turqisë dhe përmes korridoreve tjera po arrijnë në Kosovë”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version