Site icon Telegrafi

Turqia dhe Rusia nënshkruan marrëveshje për ndërtimin e “Rrjedhës turke”

Turqia dhe Rusia sonte në Stamboll nënshkruan Marrëveshje për ndërtimin e gazsjellësit “Rrjedha turke, njoftoi TASS.

Marrëveshja u nënshkrua pas takimit të presidentëve të Turqisë dhe Rusisë, Recep Tayyip Erdogan dhe Vladimir Putin, nga ana e ministrave të energjetikës të të dy vendeve.

Kryetari i Këshillit drejtues të gjigantit energjetik rus “Gazprom”, Aleksej Miler, paraprakisht njoftoi se me marrëveshjen parashikohet të ndërtohen dy linja të gazsjellësit nga Rusia përmes fundit të Detit të Zi, deri në Turqi.

Sipas Milerit, ndërtimi i gazsjellësit do të duhej të përfundojë deri në dhjetor të vitit 2019.

Paralajmërimi për ndërtimin e “Rrjedhës turke” erdhi pasi dështoi projekti “Rrjedha Jugore”, përmes të cilit gazi natyror nga Rusia përmes fundit të Detit të Zi, duhej të transportohej në Bullgari.

Pasi ky plan dështoi në vitin 2014 nën presionin e BE­-së, kompania “Gazprom”, e cila është bartëse e projektit për ndërtimin e gazsjellësit drejt Evropës jugore, që do ta anashkalonte Ukrainën, e promovoi idenë për “Rrjedhën turke”.

Megjithatë, ky projekt ishte ngrirë pas krizës në marrëdhëniet mes Moskës dhe Ankarasë, për shkak të rrëzimit të aeroplanit rus nga ana e forcave të armatosura turke mbi kufirin me Sirinë në nëntor të vitit të kaluar.

Me normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve gjatë verës, filluan të vijnë edhe paralajmërime për ripërtëritje të projektit për ndërtimin e “Rrjedhës turke”.

Është paraparë që pjesa e gazsjellësit nëpër fundin e Detit të Zi të jetë e gjatë 910 kilometra, ndërsa pjesa tokësore të jetë 180 kilometra.

Ndërtimi i “Rrjedhës turke” vlerësohet në 11,4 miliardë euro. Me planin parashikohet edhe ndërtimi i etapës së dytë nga gazsjellësi, i cili nga Turqia do të vazhdonte drejt Greqisë, e pastaj në vendet ballkanike dhe Italinë jugore.

 

Erdogan sot në fjalimin në Kongresin energjetik botëror në Stamboll deklaroi se ndërtimi i etapës së dytë nga gazsjellësi do të varet nga kushtet e tregut evropian për gaz natyror.

Exit mobile version