Site icon Telegrafi

Turqia dhe Katari në mesin e shteteve që rrezikohen nga krizat shkatërrimtare ekonomike!?

Agjencia “Standard & Poor’s” ka nxjerrë një njoftim, ku renditen pesë ekonomitë më të brishta mes vendeve në zhvillim.

Pesë të Brishtët dhe Pesë të Mrekullueshmit, është titulli i zgjedhur nga agjencia amerikane e vlerësimit për renditjen e re të ekonomive në formë, dhe atyre në rrezik, mes vendeve në zhvillim. Turqia shfaqet në vendin e parë. “Turqia është e vetmja ndër kombet sovrane që është gjithmonë ndër më të rrezikuarat, pavarësisht nga variabëli i zgjedhur”, thotë shënimi shoqërues i agjencisë. Vendi i udhëhequr nga Erdogani konsiderohet në rrezik për shkak të manovrimit të njëkohshëm, të vënë në zbatim nga bankat qendrore kryesore të botës.

Federal Reserve, Banka e Anglisë, Banka Qendrore Evropiane, por edhe Banka e Japonisë, janë në fakt duke lëvizur nga një periudhë e zgjerimit të madh monetar, tek një rritje në normat e interesit. Sipas agjencisë së vlerësimit, ky veprim i përbashkët i botës perëndimore do të përbënte një rrezik jo të vogël ndaj ekonomive në zhvillim. Sipas CNBC-së, ekzistojnë dy rreziqe kryesore që ekonomitë, si ajo turke, të ekspozohen. Së pari, kostoja në rritje e dollarit për ekonomitë me monedha të dobëta (aktualisht 1 lirë turke ka vlerë 0.26 dollarë amerikanë), mund të ketë pasoja për investimet në dollarë, të bëra nga Ankaraja.

Së dyti, rritja e normave do të shtynte investitorët amerikanë që të kthenin në shtëpi (SHBA) portofolet e tyre, me qëllim që të mbrojnë paratë e tyre, në funksion të këtij manovrimi ekonomik. Këto dy rreziqe konkrete ndikojnë mbi variablat e shqyrtuara nga Standard & Poor’s, duke përfshirë buxhetin e shtetit, PBB-në dhe përqindjen e borxhit në valutë të huaj.

Megjithatë, në shtatorin e 2017, Zyra Statistikore Kombëtare e Ankarasë raportoi se ekonomia turke po rritet në mënyrë të qëndrueshme. Në tremujorin e dytë të vitit, PBB-ja turke u rrit me 6.5 për qind kundrejt 4.9 për qind në tre muajt e parë të vitit 2017. Një rekord para të cilit është vetëm rritja shtatë për qind e regjistruar në vitin 2015. Tendencë e njëjtë pozitive mund të regjistrohet përsa i përket papunësisë, që ra nga 11.7 për qind në 10.5 për qind, mes pranverës dhe verës.

Kjo gjë pra ngre jo pak dyshime në lidhje me kriterin e përdorur nga agjencia për të përshkruar Turqinë si delen e zezë të vendeve në zhvillim. Në listë ka hapësirë edhe për Argjentinën, Pakistanin, Egjiptin dhe Katarin.

Edhe katari në shënjestër të Standard & Poor’s. Mbi të gjitha është prania e emiratit, që shkakton habi. Në po të njëjtin shënim shoqërues, thuhet se “disa vëzhgues mund të thonë që, për shkak të rezervave të veta, Katari nuk duhet të jetë në listën e Pesë të Brishtëve. Në fakt, Katari është i dyti pas Arabisë Saudite, për bilancin e fortë të pagesave me jashtë”.

Është e çuditshme pra që pikërisht në periudhën kur dy vende, Turqia dhe Katari, po largohen nga sfera e influencës e politikës amerikane, të dy “dënohen” nga gjykimi i një agjencie amerikane vlerësimi.

Në lidhje me besueshmërinë e vlerësimeve të Standard & Poor’s ishte shprehur tashmë Adusbef, shoqata e mbrojtjes së konsumatorëve, duke dënuar mungesën e paanshmërisë. Edhe Shtëpia e Bardhë nuk i ka kursyer kritikat, duke përmendur gjykimin e agjencisë në vitin 2013, që shkaktoi krizën e kredive subprime.

Vizioni amerikano-centrik i agjencisë konfirmohet edhe nga futja e Kinës dhe Rusisë në grupin e vendeve në zhvillim, kur të gjithë vëzhguesit kryesorë bien tashmë dakord se mbi të gjitha Kina, po fiton parësinë ndaj SHBA në ekonominë botërore. Edhe një herë është e mundur të shihet se si vlerësimet ekonomike të Standard & Poor’s, në dukje neutrale, mund të jenë në të vërtetë instrumente të rafinuar të gjeopolitikës. /bota.al/

Exit mobile version