Diplomatët e lartë të Bashkimit Evropian u takuan sot me ministrin turk për BE-në, Omer Çelik në përpjekje për të rivendosur ekuilibrin në marrëdhëniet mes palëve pas grushtit të shtetit.
Bashkimi Evropian dënoi grushtin e shtetit, por shprehu shqetësimin e tij lidhur goditjet e mëvonshme si dhe spastrimin e të gjithë shërbimit ushtarak dhe civil, që çoi në burgosjen e mijëra personave.
Marrëdhëniet ishin dëmtuar më parë për shkak të një mosmarrëveshjeje lidhur me hyrjen pa viza të qytetarëve turq në vendet e BE-së.
Turqia është një kandidate prej një kohe të gjatë për anëtarësim në BE dhe luan një rol të rëndësishëm në bllokimin e refugjatëve për të mos hyrë në Europë.
“Dialogu i drejtpërdrejtë është i rëndësishëm dhe kjo është ajo çfarë ne jemi duke rivendosur këtë mëngjes”, tha ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak, i cili po ndërmjetëson bisedimet, duke qenë se vendi i tij mban presidencën e radhës të BE-së.