Telegrafi

Turqia akuzon vendet e BE-së se strehojnë terroristët kurd

Erdogan tha të shtunën në një fjalim drejtuar vendit se, asnjë shtet i Bashkimit Evropian nuk ka ekstraduar anëtarë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, me gjithë faktin se kjo organizatë është shpallur si terroriste. Ai nuk përmendi ndonjë vend në veçanti.

Turqia thotë se rebelët gjejnë strehim dhe mbledhin fonde në vendet e Bashkimit Evropian. Prania e forcave ushtarake turke vazhdon të jetë e lartë në kufi me Irakun, një ditë pas bisedimeve në Ankara të cilat nuk shënuan ndonjë përparim.

Aeroplanë të ushtrisë turke të premten goditën pozicione të dyshuara të rebelëve të Partisë Punëtore të Kurdistanit në Irakun verior. Po të premten, zyrtarë të lartë ushtarakë turq thanë se do të presin deri pas takimit të kryeministrit Erdogan me presidentin Bush me 5 nëntor në Washington, para se të vendosin për të ndërmarrë ndonjë operacion në shkallë të gjerë në Irakun verior. /VoA/