Në një kompleks në Izmir, në perëndim të Turqisë, në të cilin gjenden shkollat e mbyllura nën dyshimin që kanë lidhje me organizatën terroriste Fetullahci (FETO), është zbuluar një tunel mes xhamisë dhe mensës, raporton Anadolu Agency (AA).
Bëhet fjalë për shkollën e mesme private Yamanlar. Shkolla është mbyllur pas tentativës për grusht shteti të cilët ushtarakët besnikë të organizatës terroriste FETO e kryen më 15 korrik.
Nga Drejtoria lokale për arsim njoftuan se kompleksi gjendet në Bayrakli dhe një ish-nxënës i shkollës tha se gjendet një kalim mes xhamisë dhe mensës, ku më pas policia filloi hetimet.
Në godinën ku gjendet mensa në hapësirën në të cilën gjenden bojlerët për ngrohje, është zbuluar një tunel i lartë dy metra dhe i gjerë një metër. Tuneli posedon edhe ndriçim.
Ekipet të cilat kaluan nëpër tunel, zbuluan një dhomë në katin e poshtëm të xhamisë. Është duke u hetuar se për çfarë qëllimesh është përdorur tuneli, gjatësia e përgjithshme e së cilit është më shumë se 200 metra.
Nga ana tjetër në godinën e shkollës është zbuluar një ashensor i cili ka funksionuar vetëm për disa kate të caktuara në të cilat kanë qenë dhomat për takime, dhoma me numra nëpër dyer ngjashëm sikur dhomat e hotelit dhe kuzhinat.
Në katet e tjera hapësira e ashensorit është fshehur me pasqyra përgjatë murit. Pas tentativës për grusht shteti është vërtetuar se institucionet arsimore Yamanlar kanë pasur vend të rëndësishëm në organizatën terroriste, dhe se kjo ka qenë institucioni i parë arsimor pranë FETO-s.
“Nxënësit e zgjedhur” kanë zhvilluar mësimet në kolegjin Yamanlar, më vonë kanë zhvilluar mësimin në shkollat ushtarake. Pas përfundimit të shkollave ushtarake, në hapësira të veçanta të kolegjit kanë dhënë “betimin për besnikëri” për liderin e organizatës terroriste FETO, Fethulla Gulen.
Shkolla më vonë është riemëruar dhe ka marrë emrin Ilhan Varnak, profesor nga Universiteti Yildiz Teknik, i cili në Stamboll humbi jetën në demonstratat gjatë tentimit për grusht shteti. Xhamia në këtë kompleks më herët nuk ka qenë objekt fetar, por është përdorur si bibliotekë. Për ritet fetare është hapur dje dhe mban emrin “Xhamia e Dëshmorëve të 15 korrikut”.