Zyrtarët grekë dhe ata turq do të organizojnë një takim për të menaxhuar fluksin e refugjatëve në Greqi, ka njoftuar ministri grek për Migrim, Dimitris Vitsas, pas rritjes së numrit të personave që kanë arritur në shtetin e tij përmes kufirit tokësor me Turqinë.
Vistas ka thënë se ai do të takohet me ministrin e Brendshëm turk, Suleyman Soylu në muajin janar, pasi Greqia është përballur me rritje prej 17 për qind të refugjatëve dhe migrantëve në krahasim me vitin e kaluar.
“Ne jemi duke tentuar të bëjmë plane për gjithçka që mund të ndodhë, në mënyrë që të parandalojmë një situatë si ajo e vitit 2015, kur një milion persona kanë arritur në Evropë”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Ai ka thënë edhe se udhëheqësit e rojeve bregdetare të të dyja shteteve do të takohen në javët e ardhshme se do të ketë rritje të kontakteve në mes të zyrtarëve policorë në mes të kufirit tokësor Greqi-Turqi, transmeton tch.
Ndonëse një marrëveshje në mes të BE-së dhe Turqisë dy vjet më parë pati ulur numrin e hyrjeve të migrantëve në Greqi, kohën e fundit ka ndodhur e kundërta.
Autoritetet greke kanë njoftuar për 14,000 hyrje të parregullta përmes kufirit të Turqisë deri në këtë periudhë të vitit, përveç 28,000 personave tjerë që kanë kaluar këtë shtet përmes Detit Egje.
Për dallim nga ky vit, më 2017 është raportuar për 5,500 kalime kufitare tokësore, nga një total prej 36,000 refugjatëve dhe migrantëve që kanë arritur në Greqi.