Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha se autoritetet e kanë indentifikuar sulmuesin në një klub të natës në Stamboll.
Por, zoti Cavusoglu nuk ka dhënë më tepër detaje, raporton sot agjencia e lajmeve, Anadolu.
Pak kohë pas ardhjes së Vitit të Ri 2017, një person i armatosur ka depërtuar në klubin e natës Reina dhe ka haur zjarr kundër njerëzve që festonin.
Në këtë masakër të 1 janarit janë vrarë 39 vetë dhe plagosur 69 të tjerë.
Pas vrasjeve, sulmuesi ka arritur të largohet nga vendi i krimit dhe ende nuk është zënë.
Deklarata e ministrit Cavusoglu u bë pas agjencia Anadolu pat raportuar se pesë persona të dyshuar, të ndërlidhur me gupin ekstremist, Shteti Islamik, i cili e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, janë arrestuar sot në qytetin port Izmir, në kuadër të hetimeve që po vazhdojnë.
Sipas kësaj agjencie, lidhur me këtë masakër, më parë ishin arrestuar 14 vetë, përfshirë dy persona të jashtëm.