Autoritetet turke kanë arrestuar pronarin e një zinxhiri të restorantesh në kuadër të hetimeve për helmimin me ushqim të më shumë se 700 ushtarëve, gjë e cila shkaktoi pakënaqësi të mëdha në Turqi.
Pronari i zinxhirit të restorantit Rot Jemekçilik, i cili dërgoi ushqime në bazën ushtarake në provincën Manisa në perëndim të Turqisë, është arrestuar në Ankara, transmeton agjencia Anadolia.
Rreth 40 punonjës më herët ishin arrestuar pas shtruarjes në spital të 731 ushtarëve.
Ushtarët kishin ngrënë supë, oriz, mish pule dhe jogurt, pas të cilës qindra prej tyre ishin lajmëruar në spital me probleme në stomak dhe marramendje.
Incident i ngjashëm ka ndodhur më 24 maj kur një ushtar ndërroi jetë dhe rreth 200 të tjerë kishin pasur probleme shëndetësore pas konsumimit të ushqimit të infektuar me bakterin salmonella.
Opozita turke ka akuzuar presidentin turk Recep Tayyip Erdogan për moskokëçarje ndaj forcave ushtarake.