Site icon Telegrafi

Turpi si reflektim moral apo mundësi për përfitim material

Mexhlis i Popullit apo Kuvend i Turpit:

“Përfaqësuesit” e popullit e që në këtë rast aksidentalisht, një numër i madh i tyre identifikohen dhe deklarohen si deputetë të Kuvendit të Kosovës e mbajtën seancën parlamentare në të cilën u diskutua për “ çështjen Kurti” e që në fakt nuk do të duhej fare të trajtohej si çështje por si një akuzë për kriminelët e UNMIK-ut që ekzekutuan në mënyrë klasike dy protestues paqësorë të demonstratave të 10 shkurtit 2007 e që ishin organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Arben Xheladinin dhe Mon Balaj. Më tepër se 170.000 qytetarë të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi nënshkruan një peticion me të cilin kërkohej por edhe obligonte Kuvendin e Kosovës të vë në rend dite “çështjen Kurti”.

Po të mos ishte ky peticion kjo çështje asnjëherë nuk do të trajtohej në Mexhlisin e Kosovës nga deputetët që e kanë për detyrim t’i përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve të Kosovës nga të cilët e kanë kërkuar dhe pa dyshim do ta kërkojnë votën në zgjedhjet e ardhshme! Deputetëve të Kuvendit të Kosovës u ka munguar vetëdija, ndërgjegjja dhe përgjegjësia qytetare ta ndërmarrin vet këtë iniciativë, pa pasur fare nevojë të nënshkruhet ky peticion.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë mandat ligjor t’i ndërpresin proceset që udhëhiqen nga ndërkombëtarët si: UNMIK-u, EULEX-i apo nga ndonjë diplomat “mik” sepse në të vërtetë këta janë ata që mund t’u marrin mandatin disa deputetëve dhe t’i dërgojnë në pushim të merituar në Dubravën e bukur! Andaj aspak nuk jam befasuar me këtë qëndrim aq më parë që shtylla kurrizore e Kuvendit të Kosovës përbëhet nga deputetë dhe politikanë skajshmërisht të inkriminuar dhe fati i të cilëve varet kryesisht nga mëshira e EULEX-it dhe “ miqtë” ndërkombëtarë! Prandaj, në mes mbrojtjes së ligjit dhe imunitetin për veten e tyre ata nuk kanë pasur asnjë dilemë; janë përcaktuar për veten e tyre!

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ishte për vizitë të” rëndësishme” zyrtare në Shqipëri pikërisht në ditën kur ishte paraparë t’i bëhej një gjyq moral Albin Kurtit! Por mos t’i mbetet merak fare sepse Albin Kurtit iu bë gjyqi në Kuvendin e Kosovës edhe pa praninë e kryeparlamentarit! Është me rëndësi se janë ndarë detyrat e shtëpisë dhe se ato u janë ndarë njerëzve të duhur! Për mua nuk është aspak shqetësuese pse nuk janë marrë me Albin Kurtin deputetët që luftojnë për xhirollogarinë e tyre, gjithnjë në mbrojtje të interesave të qytetarëve e të cilët interesat e qytetarëve i kanë identifikuar 100% me interesat e tyre!

Për mua është shumë brengosëse që nuk kanë pasur guxim, që, së paku me një deklaratë publike të dalin në mbrojtje të ligjit duke e denoncuar dhe duke u distancuar edhe si institucion nga krimi i 10 shkurtit 2007 ! Dhe duke kërkuar përgjegjësi penale për kriminelët. Këtë, së paku kanë mundur dhe kanë pasur detyrim moral, njerëzor, kombëtar dhe institucional ta bëjnë! Pasi nuk e bënë këtë, atëherë mbetën në anën e krimit dhe kështu do të ndodhë për derisa nuk do të veprojnë ndryshe! Kuvendi i Kosovës duhet t’i shpallë Arben Xheladinin dhe Mon Balajn dëshmorë të Kosovës dhe në përputhje me këtë t’i trajtojë edhe familjet e tyre!

Nuk duhet të lejohet që ata që e kryen krimin (UNMIK-u) ta caktojë çmimin për jetët e Arbenit dhe Monit sepse përmes parave ata duan ta fitojnë pafajësinë e tyre ndërkaq që ata nuk mund të jenë asgjë tjetër përveç se kriminelë!

Kryeparlamentari i Kosovës dhe Perandori i Japonisë:

Në pritje të emisionit argëtues Oxygen i cili mjeshtërisht dhe në mënyrë atraktive udhëhiqet nga Besim Dina dhe të cilin, së bashku me serialin “Kafeneja jonë” e përcjell rregullisht, në ekranin e programit të RTK-së doli me shkronja të mëdha mbishkrimi “Speciale”. Mendja më iku menjëherë në dy drejtime. E para se ndonjë politikan kosovar ka për t’i komunikuar kombit diçka shumë të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj, kosovarë dhe asaj të pakicës shqiptare dhe, e dyta se më në fund Behgjet Pacolli dhe Mbretëria e Svazilandit kanë vendosur ta pranojnë pavarësinë e Kosovës!

Nuk doli as e para, as e dyta! Doli se kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi e mbajti një ligjëratë në Tiranë dhe se kjo domosdoshmërisht duhej të trajtohej si “Speciale”! Mjedisi dhe të pranishmit ku mbahej ligjërata ishte në përputhje me “Specialen”. Kryesisht bëhej fjalë për politikanë të deklasuar dhe të cilët në shoqëri civile ishin konvertuar! Këta ashiqare bëjnë hajgare me kosovarë dhe aspak nuk e kanë vështirë ta bëjnë këtë! Vetëm a ka lekë, ky është kriteri i vetëm!

Në vendin ku ishte ulur Jakup Krasniqi kishin vendosur një mbishkrim; H.E. DR. JAKUP KRASNIQI! Dhe menjëherë u ndjeva krenar sepse, nëse nuk ia kemi kaluar Japonisë me punë dhe përparim atëherë nuk mbetemi aspak prapa me tituj. Mbreti i Japonisë është nderuar gjithmonë me titullin Hirësia e Tij por nuk e kam vërejtur se e ka pasur titullin DR. Ndërkaq këta shakaxhinjtë e Tiranës përveç titullit Dr. të cilin Jakupi e ka me letra ia kanë shtuar edhe atë H (Hirësia) E (Etij)! Hajgare hesapi! Po pse mos ta bëjnë këtë kur e kanë vërejtur se tanët vdesin nga dëshira të kenë tituj, qoftë edhe nëse janë përqeshës për ta! Prandaj, të qoftë për hajr, Hirësia Juaj, Jakup Krasniqi edhe ky titull!

Vetëm rastësi apo ….?!

Mund të konsiderohet edhe si rastësi që në të njëjtën ditë u mbajtën zgjedhjet lokale në Istog dhe ato në Sudan. Të parat u mbajtën nën patronatin e Piter Fejtit ndërkaq ato në Sudan nën patronatin e Omar Bashirit i akuzuar për krime lufte dhe shkeljes së zakoneve të luftës, përgjegjës për krime ndaj civilëve të pafajshëm!

I pari nuk e lufton krimin, i dyti mozomakeq! Përveç karakteristikës se këto zgjedhje janë mbajtur të njëjtën kohë është diçka që megjithatë i dallon. Në Istog është përdorur dhuna ndërsa në Sudan jo!
(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ. Qëndrimet në këtë shkrim janë krejt personale)

Exit mobile version