Ditë më parë Hajredin Kuçi me një pompozitet mediatik, për të cilat vetëm ai ka talent ta bëjë, u shpreh se së shpejti Qeveria do t’ia procedojë Kuvendit për miratim projektligjin për vlerat e Luftës. Të ftuar në takim me të qenë edhe të ashtuquajturit përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, të cilat më shumë janë përfaqësuese të qeverisë sesa të familjeve të dëshmorëve, invalidëve e luftëtarëve të UÇK-së. Mesazhi i djallëzuar i premtimit të Kuçit ishte ky: projektligji mund të miratohet vetëm përmes rrugëve zyrtare dhe jo përmes grevave në rrugë. Ky marifet i ligë i Kuçit duhet parë si një përpjekje e dëshpëruar e qeverisë për të heshtur zërin e kundërshtimit. Në qoftë se, qeveria do të ishte kaq e ndjeshme ndaj kërkesave të luftëtarëve të nëpërkëmbur të UÇK-së, ajo qysh moti do të duhej të bënte miratimin e një ligji të tillë, sepse fort mirë dihet që më së shumti pas luftës kanë pësuar luftëtarët e UÇK-së.
Fatmirësisht, veteranët që po grevojnë tash e sa javë, u shprehen të palëkundur të vazhdojnë protestën e tyre gjer në realizimin e plotë të kërkesës së tyre sa të ligjshme aq edhe të drejtë. Zyrtarët në Qeveri po bëjnë çkamos që projektligjin për luftën ta shtyjnë mundësisht sa më shumë dhe sa më afër kohës së zgjedhjeve në mënyrë që të korrin edhe një mandat të radhës prej votave të luftëtarëve. Sido që të jetë rrjedha e zhvillimeve, duhet të dihet se miratimi i projektligjit për vlerat e luftës do të vijë si pasojë e organizimit, grevës dhe presionit nga veteranët grevistë dhe jo nga të ashtuquajturat shoqata të luftës. Në mënyrën më cinike të mundshme, një Xhavit Jashari që i thotë vetës eksponent i shoqatës së Dëshmorëve, u mundua dëshpërueshëm të hedhë baltë mbi grevistët dhe qëllimet e drejta të tyre, duke thënë se ata janë të nxitur nga dikush, mirëpo s’dha as edhe më të voglin sqarim për akuzat e tij – dëshmi e qartë kjo mbi papërgjegjshmërinë dhe arrogancën e tij.
Le të dihet kjo se nuk është far sekreti: vetë Xhavit Jashari qëndron në postin e kryetarit të shoqatës së luftës, edhe pse mandati i tij ka skaduar prej kohësh. I njëjti gjatë kohës së luftës ka qëndruar në Slloveni, duke shijuar të mirat e jetës së qetë dhe konfore, për dallim prej luftëtarëve të UÇK-së të cilët dhanë gjithçka që patën për liri dhe çlirim të tokave të robëruara shqiptare.
Greva e luftëtarëve të UÇK-së ka meritën se që prej përfundimit të luftës ka qenë më seriozja dhe më këmbëngulësja: ajo s’ka rënë pre e mashtrimeve dhe presioneve të shumta të politikanëve. Prandaj, ajo duhet të bëhet shembull që do ndjekur edhe nga kategoritë e tjera shoqërore, që janë njësoj të nëpërkëmbura. Deri më tani, Qeveria dhe politika në përgjithësi kanë dërguar misione të tëra grevë-thyesish, të cilët dështuan paturpësisht. Është e udhës të përmenden disa nga emrat e politikanëve të papërgjegjshëm që synuan t’i zmbrapsin grevistët nga qëllimet e tyre të drejta dhe të ligjshme: delegacioni kuvendar i nisur prej Jakup Krasniqit, në përbërje të të cilit ishin: Rexhep Selimi i Vetëvendosjes, Myzeine Selmani i AKR-së, A. Zemaj e Anton Çuni i LDK-së, Ramiz Lladrofci e Latif Gashi i PDK-së, Ahmet Isufi i AAK-së. Ata ikën me bisht në shalë, siç thotë një fjalë, duke marrë një njollë turpi më shumë në personalitetin e tyre. Sa e pamoralshme: njerëz që shijojnë privilegjet më të mëdha monetare bëjnë përpjekje ta shuajnë kërkesën e ligjshme të luftëtarëve të UÇK-së, të cilët kanë mbetur në kufirin e luftës për ekzistencë.
Në fakt, s’të habit dhe aq presioni që të lartpërmendurit kanë ushtruar ndaj grevistëve: është ditur që moti që shumë prej tyre mu pas përfundimit të luftës kanë përfituar materialisht e financiarisht në emër të luftës. Por e papritura kësaj herë na erdh prej vetë partisë së Albin Kurtit, për të cilën kemi pasur përshtypjen e gabuar se do të sjellë pastërti morale në politikë. E tëra që ajo po sjell është apetiti i saj për të provuar edhe ajo vetë pushtetin. Në njërën anë, figurat kyçe të Vetëvendosje-s (Albin Kurti, L. Aliu me kompani) erdhën në tenda duke pretenduar se solidarizohen me grevën dhe kërkesat e luftëtarëve të UÇK-së, gjë të cilën e trumbetuan edhe në media. Por, në anën tjetër ‘zyrtare’, deputeti i Vetëvendosje-s, Rexhep Selimi erdhi me mision nga Kuvendi, që t’i spraps grevistët nga kërkesat e tyre.
Këtu ka diçka që s’shkon! Si është e mundur që jozyrtarisht, Albin Kurti i Vetëvendosje-s bëhet gjoja se i përkrah grevistët dhe kërkesat e tyre, kurse zyrtarisht Rexhep Selimi i Vetëvendosje-s mundohet që t’i zmpras grevistët nga po këto kërkesa. Do të doja të isha gabim, por kjo të shpie në përfundimin se Albin Kurti i Vetëvendosje-s po mundohet t’ua fitojë zemrat dhe mendjet e luftëtarëve që po mbajnë grevë, jo për tjetër gjë, po për planet e tij të mëtutjeshme për ngritje në politikë. Vetëvendosja e tij në Kuvend, deri më tani s’ka ngritur ndonjëherë zërin seriozisht as në mbrojtje të luftës çlirimtare e as në mbrojtje të kategorive të dala nga lufta. Këtë e dëshmon koha e publikimit të raportit të serbofilit Dick Marty, ku Albin Kurti nuk e kundërshtoi përmbajtjen fyese dhe raciste të këtij raporti, aq sa kjo ngriti (ndoshta me të drejtë) dyshimin se, ai pajtohej me përmbajtjen e këtij raporti, i cili e ‘eliminonte’ nga rruga, konkurrentin e tij politik, Thaçin dhe PDK-në.
Pra, Luftëtarët e UÇK-së që po grevojnë në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare duhet të dinë si të përballojnë sfidat që vinë nga partitë politike, që synojnë shfrytëzimin e gjendjes së rëndë të këtyre kategorive të luftës, në mënyrë që të përfitojnë politikisht pushtet për vete. Grevistët s’duhet të ndalin grevën, derisa kërkesat e tyre të ligjshme të zbatohen një për një. Po ashtu, grevistëve duhet t’u bashkëngjiten masivisht edhe shoqatat e ish të burgosurve politik, sepse edhe ata gjenden në të njëjtën pozitë të përbuzjes. Duhet të kuptohet që miratimi i Projektligjit të Luftës është mbrojtje e vlerave dhe dinjitetit të tërë shqiptarëve kudo që janë!
(Autori është ish i burgosur politik)