Site icon Telegrafi

Turpet e Kombeve të Bashkuara

Javën që kaloi, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, bëri një turne diplomatik në vendet e ish-Jugosllavisë, ndërkohë që gjatë vizitës në Bosnje ai u bë udhëheqësi i parë i organizatës botërore që vizitoi Srebrenicën, vendin e masakrës më të madhe në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore. Në një mënyrë, Sekretari i Përgjithshëm pranoi dështimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) gjatë luftës në Bosnje dhe në pjesë të tjera të Ballkanit, duke thënë se komuniteti ndërkombëtar duhej të bënte më shumë që të ndalonte masakrën e Srebrenicës.

”Unë jam para jush këtu me një hidhërim të madh, keqardhje e pendim të thellë. Besoj se nuk ka asnjë vend tjetër në botë më të vështirë për tu vizituar nga një udhëheqës i Kombeve të Bashkuara se sa Srebrenica”, tha z. Bani gjatë vizitës së tij atje. Ai shtoi se ”Srebrenica është një ndër kapitujt më të errët të historisë moderne”, ku sipas tij, ”Kombet e Bashkuara nuk zbatuan përgjegjësitë e tyre dhe komuniteti ndërkombëtar nuk ndaloi gjenocidin’.’

Kjo ishte një deklaratë e saktë dhe siç duket, Ban Ki-moon me këtë prononcim, sinqerisht dhe me përulësi, pranoi turpin e mos veprimit të Kombeve të Bashkuara gjatë luftës dhe masakrave serbe në Bosnje.

Edhe vizita në Kosovë ishte e para nga një Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, që prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 2008. Ai në Prishtinë nuk u prit me ceremoni shtetërore, pasi Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe siç duket ai nuk dëshironte të shqetësonte shumë Beogradin me vizitën e tij në Prishtinën zyrtare. Në Kosovë u takua me udhëheqësit e vendit dhe me përfaqësues të UNMIK-ut, për të cilën organizatë ai tha se është gjithnjë e nevojshme.

Por, realiteti është se vizita e tij në Kosovë ishte simbolike, pa asnjë arritje të dukshme, e ku ai vetëm përsëriti thirrjen që tani është bërë e mërzitshme nga të gjithë, për dialog midis shqiptarëve dhe serbëve, në lidhje me ”çështjen delikate dhe të ndërlikuar në veri të Kosovës’.’

Bani arriti në Kosovë nga Beogradi ku presidenti i ri serb, Tomisllav Nikoliq, i kërkoi atij që ”të respektojë sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën”, megjithëse Kosova është njohur tani si shtet i pavarur nga fuqitë e mëdha kryesore perëndimore. Gjithashtu, presidenti serb u shpreh se dëshiron pjesëmarrjen e Kombeve të Bashkuara në bisedimet e ardhshme që mund të mbahen mes Kosovës e Serbisë.

Duke pas parasysh rolin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Ballkan, si bashkautor me Serbinë, që kanë shkruar “kapitullin më të errët të historisë moderne’’, përfshirë edhe Kosovën, udhëheqësit e Kosovës duhet që me çdo mjet t’u rezistojnë presioneve për të përfshirë Kombet e Bashkuara në çfarëdo bisedimesh që mund të planifikohen në të ardhmen. Efikasiteti i punës së OKB-s në Kosovë është parë tashmë. Po mos të ndërhynte NATO-ja në Kosovë, dhe po të pritej ndërhyrja e Kombeve të Bashkuara për të ndaluar masakrën e shqiptarëve të Kosovës dhe shpërnguljen e detyruar të tyre nga trojet e veta nga forcat serbe të regjimit të Millosheviqit, Kosova do të ishte sot pothuaj pa shqiptarë.

Në atë kohë, shumë analistë perëndimorë dhe të tjerë mendonin se Srebernica, me gjithë vetitë e saj si një masakër e tmerrshme e kohërave moderne, do të dukej si një piknik në krahasim me atë që mund të ndodhte në Kosovë po të mos kishte ndërhyrë NATO-ja për të shpëtuar popullsinë shqiptare të Kosovës nga forcat kriminele serbe.

Nuk jam i sigurt se çfarë roli luan gjithnjë UNMIK-u në Kosovë sot, por jam i sigurt se ai nuk duhet të luaj kurrfarë roli përderisa u përket bisedimeve të ardhshme. Këto bisedime duhet të jenë një dialog midis dy shteteve të pavarura.

Nikoliqi kërkon pjesëmarrjen. Çdo gjë që e dëshiron Serbia, është kundër interesave të Kosovës. Pjesëmarrja e Kombeve të Bashkuara mund të përfundojë në një turp tjetër të OKB-së me pasoja të rënda që mund të dëmtonin rëndë arritjet e deritanishme të shtetit të Kosovës.

Gabimet dhe mos veprimet e OKB-së në kohën e duhur në Bosnje dhe Kosovë në fund të shekullit të kaluar, për të parandaluar masakrat, nuk janë pa precedencë gjatë historisë së OKB-ës, madje edhe me pasoja më të rënda se në Ballkan. Shembulli i fundit dhe më konkret që e shohim çdo natë në ekranet e televizionit është Siria. Kemi të bëjmë me një regjim diktatorial që është duke përdorur gjithë arsenalin ushtarak të tij, të furnizuar nga Rusia, përfshirë aeroplanë, helikopterë dhe tanke kundër popullsisë duke vrarë deri tani, sipas aktivistëve, rreth 18-mijë veta, përfshirë gra e fëmijë. OKB gjithnjë debaton dhe tregon hezitim për të ndërhyrë, ashtu siç ndodhi edhe gjatë luftërave në Ballkan.

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është i ndarë: vendet perëndimore duan ndërhyrje të menjëhershme për të larguar nga detyra presidentin Assad dhe për shpëtuar popullsinë civile të Sirisë nga sulmet e pamëshirë të forcave të tij. Rusia dhe Kina, nga ana tjetër, vendosmërisht kundërshtojnë përpjekjet e vendeve perëndimore, duke e bërë kështu të pamundur ndërhyrjen për të mbrojtur popullsinë civile.

Sekretari i Përgjithshëm tha në Srebrenicë se ”nuk dëshiroj që ndonjëri prej pasardhësve të mi, 20-vjetë më vonë, të vizitojë Sirinë dhe të kërkojë falje për ato që mund të kishim bërë për të mbrojtur civilët në Siri, por që nuk jemi duke i bërë’.

”Kurrë më Srebrenicë”, tha ai në Bosnje, por “Srebrenica’’ po shfaqet në Siri dhe para syve dëshmitarë të të gjithë botës. E, organizata që kryeson Ban, nuk po e çanë aspak kokën.

Si rrjedhim, katastrofa e vazhdueshme e popullit të Sirisë nuk ka të ngjarë të marrë fund së shpejti. Kjo sepse presidenti rus Putin do që me çdo kusht të kontrollojë bazën detare siriane në Tartus dhe interesat gjeopolitike të Moskës në Mesdhe. Rusia, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe partnerja e saj në atë Këshill, Kina, ashtu si në të kaluarën do të vazhdojnë të përdorin veton dhe të bllokojnë çdo masë serioze kundër regjimit të Assadit, pasi për ta, mbështetja për diktatorët si Assadi, Millosheviqi e të tjerë, ka më rëndësi se jeta e njerëzve të pafajshëm.

Masakrat në Bosnje dhe në Kosovë, gjatë viteve ’90, dhe lufta e regjimit sirian kundër popullit të vet sot, është një kujtesë e gjallë dhe e përhershme se çfarë ndodhë kur jeta e njerëzve nën diktaturë dhe fati i popujve të shtypur është në duar të diplomatëve të Kombeve të Bashkuara.

 

Exit mobile version