Site icon Telegrafi

I turpëruar, i mundur dhe pa ekuipazh: Starliner i Boeing u kthye nga hapësira në Tokë

Anija kozmike Starliner e Boeing përfundoi misionin e saj, tashmë mund të themi të pasuksesshëm, në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës dhe u kthye në Tokë.

Anija kozmike u kthye në Tokë pa astronautët e NASA-s, të cilët do të qëndrojnë në ISS deri në muajin shkurt kur do të kthehen me ndihmën e një kapsule nga kompania rivale SpaceX.

“Anija kozmike e zbrazët hyri në atmosferën e Tokës në mënyrë autonome rreth orës pesë të mëngjesit me shpejtësi orbitale prej afërsisht 27,400 km/h. Rreth 45 minuta më vonë, një seri parashutash u vendosën për të ngadalësuar zbritjen”, shkruan theguardian.

Pas kësaj, anija u ul në shkretëtirë në New Mexico.

Edhe pse astronautët e NASA-s, Suni Williams dhe Butch Wilmore fluturuan me ndihmën e Starliner në ISS, kthimi i tyre, i cili ishte planifikuar për në muajin qershor, nuk mund të realizohej për shkak të një sërë keqfunksionimesh që u raportuan në Starliner.

Kështu, astronautët qëndruan “të mbërthyer” në ISS më shumë sesa pritej, dhe pas një sërë takimesh, NASA mori vendimin që ata të kthehen në Tokë në shkurt me ndihmën e kapsulës SpaceX Dragon.

Që nga qershori, NASA ka vërejtur një sërë problemesh me Starliner, duke përfshirë një rrjedhje heliumi, dhe astronautët kanë raportuar zhurma të pashpjegueshme brenda anijes.

“Do t’ju lë të mendoni për këtë dhe të përpiqeni të kuptoni se për çfarë bëhet fjalë. Na telefononi nëse e kuptoni”, tha astronauti.

Kur bëhet fjalë rreth vendimit për kthimin e astronautëve me kapsulën SpaceX, NASA theksoi se vendimi është marrë kryesisht për sigurinë e tyre.

“Fluturimet në hapësirë janë të rrezikshme, edhe kur ato janë më të sigurtat dhe duken si rutinë. Një fluturim provë, për nga natyra e tij, nuk është as i sigurt dhe as rutinë. Vendimi për të mbajtur Butch dhe Sunny në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor dhe për të kthyer Starliner të Boeing pa ekuipazh është rezultat i angazhimit tonë dhe unë u jam mirënjohës të gjitha ekipeve për punën e tyre të jashtëzakonshme”, tha zyrtari i NASA-s, Bill Nelson. /Telegrafi/

Exit mobile version