Në mediat globale, e rrjedhimisht edhe te ne, po flitet për një gjendje të “ndezur “ në botën islame. Dhjetëra e mijëra vetë po demonstrojnë pas lutjeve të së premtes, kundër shfaqjes së filmit për Profetin Muhamet në youtube. Atmosferë dhe situatë pak a shumë e ngjashme pas botimit të karikaturave, po ashtu me Profetin, në Danimarkë . Zemërimi, pas SHBA-ve edhe Izraelit, po drejtohet edhe kundër Gjermanisë e mbase edhe vendeve të tjera perëndimore të njohura për lirinë e shprehjes dhe mendimit.
Ambasadat amerikane në vendet me popullatë shumicë të besimit islam,kryesisht në kontinentin e Afrikës dhe të Azisë, të njohura për mungesë të traditës demokratike, janë në gjendje alarmi! Në protestat e dhunshme kishte edhe viktima, përfshirë edhe diplomat të lartë.
Presioni global i islamikëve nuk është krejt e qartë a paraqet vetëm një ndëshkim kolektiv të masës së zemëruar, apo paraqet një presion i cili synon një censurë globale në internet. Derisa logjika e lëvizjeve masive është e qartë pak a shumë, prapavija e këtyre presioneve shihet te një apo disa qendra ideologjike të koordinuara që synojnë jo vetëm të ndëshkojë shtetet, por sidomos të imponojë autocensurë te individët, përderisa nuk arrijnë të thyejnë sistemin ligjor perëndimor i cili garanton liritë dhe të drejtat e qytetarit.
Por, censura , e madje as censura mbi internetin, nuk është kërkesë e re dhe specifikë vetëm e islamikëve. Ajo ka ithtarë jo vetëm në botën islame. Po ashtu, arsyet – përpos fetare – shpesh dinë të jenë edhe morale apo ideologjike. Neokonservativizmi ofron shpëtim përmes ndalesave ligjore dhe censurës së internetit, i cili me natyrën e tij që stimulon kreativitetin e individëve, po i sfidon të gjitha “të vërtetat” kolektive dhe grupore.
Interneti po e thyen monopolin e shtetit dhe grupeve mbi informatën dhe të vërtetën. Çdo individ i cili ka një qasje në internet mund të publikojë sot të vërtetën e tij. Nganjëherë publiciteti që fiton një individ në internet i tejkalon përmasat e makinerisë propagandistike të një shteti. Natyra dhe mundësitë që ofron interneti po paraqesin sot sfidën më të madhe të qendrave ideologjike globale me mendësi kolektive.
A është shndërruar interneti në një medium i cili sfidon mendimin kolektiv? A është rritur individi për të marrë përsipër komunikimin plotësisht të lirë? Deri ku mund të shkojnë përmasat e kësaj lirie? Si mund dhe si duhet të kontrollohet pjesa destruktive e cila internetin e shfrytëzon për të dhunuar liritë? Dhe, a duhet kjo?
Ka mendime të ndara rreth kësaj. Ndërsa, organizatat dhe institucionet dyshojnë në këtë.
Për dallim prej inkuizicionit të krishterë, ku priftërinjtë kishin autoritet të vlerësonin dhe të dënonin “blasfeminë” duke burgosur, torturuar madje edhe dënuar mëkatarët deri me djegie publike në turrë të drunjve, fenomeni i ri global, karakteristik për botën islame, është “drejtësia” e turmës. Ajo nuk njeh gjykatë. Thjesht, turma pas faljes së xhumasë del nëpër rrugë, demonstron, shpeshherë shumë dhunshëm duke hedhur slogane kryesisht anti-perëndimore dhe duke sulmuar, djegur e duke vrarë nëpër përfaqësitë, organizatat perëndimorë apo shtetasit e tyre. Vështirë se kjo mund të futet nën kategorinë e shprehjes së lirë të besimit!
Kur jemi te “blasfemia” dhe natyra e saj, edhe në Pakistan e edhe Afganistan këto ditë dolën në rrugë disa qindra vetë. Ata mbanin pankarta me mbishkrimet: “Blasfemia nuk ka të bëjë me lirinë e shtypit”. Por, a ka të bëjë krejt kjo turmë me lirinë, me kufizimet ideologjike të cilat synon të imponojë? Pak a shumë, kështu kanë qenë edhe sloganet e inkuizicionit të kishtarë në mesjetë. Po të dyshoje vetëm pak në vërtetësinë absolute të Biblës, digjeshe në turrë të drunjve.
Por, në botën perëndimore pati një lëvizje kulturore dhe civilizuese të cilën ne e njohim si epokën e humanizmit dhe renesancës, e cila e rrënoi frymën e inkuizicionit. Pas disa shekujsh kjo liri u sanksionua me Kushtetutë dhe ligje. Të drejtat dhe liritë e qytetarit u bënë strumbullari i një ideologjie të re dhe liria e mendimit dhe e shprehjes u bë dukuria më normale. Por, kjo nuk arriti në përmasa globale. Ndoshta pikërisht tash, më ashpër se kurrë, po ndeshen pragmatizmi euro-perëndimor dhe neo-kolektivizmi i ri pan-islam.
Një kohë, në disa pjesë të botës, ateizmi ishte bërë ideologji zyrtare. Mohimi i Zotit dhe krijimi i perëndive në tokë ishte karakteristikë e kësaj ideologjie dhe kulture restriktive. Ndër shqiptarët madje ateizmi mori përmasat e inkuizicionit, ku masat u instrumentalizuan për të ndjekur besimtarët. Turma, nën dirigjimin e partisë dhe mekanizmave tjerë të shtetit ideologjik, po luftonte “opiumin për masat”, Zotin! Kishat, xhamitë dhe tempujt e tjerë fetarë u shndërruan në stalla lopësh qumështore apo në salla sportive. Por, edhe “inkuizicioni” komunist u rrënua dhe liria e shprehjes doli të jetë liri fondamentale njerëzore pa të cilën natyra njerëzore nuk ka kuptim.
Derisa dikur kisha katolike ishte një institucion i centralizuar, lëvizja e turmave të besimtarëve të zemëruar islamë, duket formalisht e decentralizuar. Nga “blasfemitë” ata marrin energjinë për lëvizjen politike islamike. Duke dënuar dhe duke kërkuar vdekjen e autorëve për të cilët turma as që di diçka të qartë, ata mobilizojnë “elektoratin” e tyre global për lëvizjen dhe institucionin e vëllazërisë islamike me synim kalifatin botërorë.
Derisa në perëndim interneti përcillet nga shteti,sidomos në SHBA, por nuk ka censurë zyrtare, në disa vende të botës ka edhe censurë zyrtare. Për shembull, Mbretëria Islamike e Arabisë Saudite ka krijuar një censurë të fortë mbi internetin, nëpërmjet një agjencie shtetërore që bënë të pamundur kërkimin në rrjet të disa fjalëve të caktuara, me përmbajtje fyese për shoqërinë. Në mes të tjerash, si fjalë “fyese” – në total prej 160 fjalësh që konsiderohen si të tilla – përfshihen sharje dhe fjalë si homoseksual, por edhe fjalët si katolik apo krishterim. Duke i konsideruar si të tilla, pra fyese për shoqërinë saudite, është ndaluar përhapja e tyre. Pra, nuk lejon që qytetarët e saj të lexojnë në rrjet për krishterimin, apo dukuritë e tjera “negative”.
Po ashtu, në Kinë, një regjim tjetër restriktiv, ku ideologjia është përjashtuese, ka vënë censurë të fuqishme madje edhe kulturore duke selektuar deri edhe këngët të cilat nuk mund të dëgjohen nga qytetarët e këtij vendi të madh.
Por, kërkesa për censurë dhe protesta, përmasash më të vogla dhe me pasoja krejt tjera, kishte edhe në botën që ne e quajmë “perëndimore”. Para disa vitesh një film “tokësor” për Jezu Krishtin i pat trazuar shpirtrat e mjaftë besimtarëve dhe ka pasur madje edhe kërkesa zyrtare nga Vatikani që ky film të ndalohet. Filmi “Pasionet e Krishtit” paraqet një version më njerëzor të Profetit Isa. Por, ky film nuk u ndalua! Nuk e lejon Kushtetuta! Nuk mund të kufizohet liria e shprehjes !
Në Perëndim besojnë se njeriu, individi, është i vetëdijshëm për interesat e veta dhe se nuk ka asgjë mbi vullnetin e qytetarit. Lëvizje të ndryshme politike, me përmbajtje fetare, si duket nuk besojnë kështu. Ata mendojnë se njeriu nuk është i përgjegjshëm dhe atij nuk mund t’i besohet vlerësimi i së mirës dhe së keqes. Ai nuk duhet të lejohet të gabojë. Ai nuk duhet të mendojë, e sidomos nuk guxon të besojë ndryshe! Mbase për këtë, kjo ide po organizohet në formën e turmave të cilat po marrin rolin e policit të moralit global. Po bëhet presion mbi shtetet për të shtypur individin dhe liritë e tij! Krizat krijohen duke bërë kërkesa tepër vështirë ose krejt të parealizueshme!
Kah po shkojmë, Mr. Orwell ?