Site icon Telegrafi

Turizmi nxit industrinë detare në Shqipëri

Industria detare e lidhur me turizmin po rritet me hapa të shpejtë në bregdetin shqiptar, nga viti në vit, më shumë si nismë e sipërmarrjes sesa si nxitje e politikave të qeverisë. Saranda dhe Vlora kanë rritur ndjeshëm flotat turistike të anijeve të mëdha e të mjeteve të vogla.

Në Durrës, kjo tentativë dështoi. Shëngjini ofron ture në bregdet, por interesi mbetet i ulët, kurse tragetet në Koman dhe vizitat në Lumin e Shalës mbeten të preferuarat e turistëve të huaj.

Ky zhvillim jo-uniform tregon, më së miri, mungesën e një strategjie të qartë nga qeveria për një element shumë të rëndësishëm të paketës turistike.

Në aspektin e monitorimit dhe kontrollit, administrata detare raporton se janë disa masa të marra që mundësojnë rritjen e sigurisë dhe standardeve të shërbimit në këtë industri me zhvillim dinamik.

Himara është qyteti i fundit turistik ku sipërmarrësit kanë investuar për një mjet lundrues me kapacitet deri në 200 persona me synim ofrimin e tureve ditore në bregdet. Deri më tani, mjetet lundruese të destinuar për këto shëtitje, që niseshin nga ky destinacion, kishin kapacitet disa herë më të ulët.

Ky zhvillim është pjesë e atij cikli rritje të industrisë detare që ka nisur të shprehet qartë nga viti 2018, kur shifrat e turistëve ishin vazhdimisht në rritje, duke arritur kulmin në 2019-n si më i miri historik.

Nevoja për ofrimin e një pakete turistike më të plotësuar ku bëjnë pjesë turet ditore me mjete lundruese, sporte ujore të ndryshme, u evidentua qartë teksa turistët po kërkonin gjithmonë e më shumë diçka përtej detit, rërës dhe diellit. Shifrat zyrtare tregojnë se në gjithë vendin janë të regjistruara 54 mjete lundruese turistike, me kapacitet për të transportuar mbi 12 pasagjerë, ndërkohë që janë gjithashtu 3864 mjete të vogla lundruese (nën 15 metra).

Por industria detare turistike duket se po zhvillohet pa ndonjë strategji të mirëfilltë të orientuar nga politikat e qeverisë. Është më shumë nismë e biznesit të turizmit që shfaqet në dimensione të ndryshme zhvillimi nga njëri qytet bregdetar në tjetrin.

Vit pas viti, zgjerimi i flotës, llojit të mjeteve përbërëse, numrit të atyre që marrin një leje drejtimi apo trajnohen pranë qendrave të licencuara në funksion të industrisë detare është në ndryshim.

Sfida që parashtrohet është rritja e kontrolluar e kësaj industrie, duke siguruar standarde të mira shërbimi për pasagjerët dhe shfrytëzim të qëndrueshëm të bregdetit, pa pasoja në mjedis dhe plazh. /Monitor/

Exit mobile version