LonelyPlanet shkruan se Ohri është destinacioni më tërheqës i Maqedonisë, me një lagje të vjetër atmosferike që lëshohet tatpjetë një kodrine të këndshme, me kisha të bukura dhe në majë të të gjithave, eshtrat e një kështjelle mesjetare.
Sipas kësaj faqe, rrugët e Ohrit me kalldrëma shtrihen përgjatë restoranteve dhe kafeneve afër liqenit, por qyteti ka edhe pjesën e sipërme të tij, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Dikur, Ohri njihej me emrin Lyhnida, që mund të ketëkuptimin e një qyteti të dritës.
Më e mira e qytetit është se mund të shohësh monumentet historike, sakaq mund të futësh këmbët tua në ujë në liqenin pranë. Atmosfera e pushimit mbizotëron në verë, periudhë kur edhe ka festivale vere.
Liqeni i Ohrit mendohet të jetë rreth tre milionë vite i vjetër, ndër më të vjetrit në Evropë dhe ndër më të thellit, ndërkaq qyteti duhet patjetër të vizitohet për shkak të monumenteve, fshatrave përreth, manastireve.
Ndër pjesët më të njohura të Ohrit janë kisha e Shën Sofisë, e Shën Jovanit, Pllaoshniku ku gjendet kisha e Shën Klimentit dhe Pantelejmonit, pa e harruar amfiteatrin helen, Shën Naumin, Muzeun e kockave. Nuk duhet harruar edhe Parkun Kombëtar të Galiçicës që ofron shtigje malore për ecje dhe sporte malore, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Kur flasim për kishat, disa i referohen Ohrit si Jerusalemi i Ballkanit pasi që dikur ka patur 365 kisha. Nuk duhet harruar as kalanë e Ohrit, e njohur si kalaja e Samoilit.
Asociacioni për Udhëtime Aventureske dhe Tregti e ka përfshirë Ohrin në shtegun e çiklizmit ”Via Balkanica” që fillon me Kroacinë, për të vazhduar me Malin e Zi, Shqipërinë, dhe për të përfunduar në Liqenin e Ohrit.
Ohri dhe liqeni i tij ka marrë nam me faktin e përfshirjes në trashëgiminë natyrore dhe kulturore nga ana e UNESCO-së në vitin 1979. Sipas tyre, Ohri është ndër vendbanimet më të vjetra njerëzore të Evropës, përcjell Telegrafi Maqedoni.
UNESCO vlerëson se Ohri është vendbanim për një numër speciesh endemike të folrës dhe faunës qysh nga periudha e Tericiarit, me një fond prej mbi 200 llojeve.
Përveç këtyre aspekteve, Ohri ofron edhe një laramani të shijshme ushqimesh të cilat mund të shijohen sidomos në fshatrat përreth liqenit, ndërkaq nuk mungon as jeta e natës. Një numër kafe baresh dhe klubesh nate, ofrojnë kënaqësi për dëfrim
Për shumëkë, Ohri paraqet kulminacionin e eksperiencës në Maqedoni./Telegrafi/