Site icon Telegrafi

Turizmi i kthehet normalitetit në Shqipëri, rriten netë-qëndrimet me 38 për qind në qershor

Turizmi i është kthyer gradualisht normalitetit të tij këtë vit duke regjistruar shifra në rritje në të gjithë aspektet krahasuar me vitet e pandemisë.

Shifrat e fundit të strukturave akomoduese të publikuara nga INSTAT për qershorin tregojnë disa prej tendencave kryesore që po shihen tek vizitorët.

Kështu në muajin qershor 2022, numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 25.5 për qind, në krahasim me qershor 2021.

“Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm: numri i vizitorëve rezident është rritur me 15.2 për qind; numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 34.0 për qind; numri i netë-qëndrimeve gjithsej është rritur me 37.9 për qind, në krahasim me qershor 2021. Numri i netë-qëndrimeve nga rezident është rritur me 12.2 për qind dhe numri i netë-qëndrimeve nga jo-rezident është rritur me 54.5 për qind”, thuhet në publikimin e INSTAT.

Sa i takon vizitorëve nënvizohet se gjatë muajit qershor 2022, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 25.5 për qind, krahasuar me qershor 2021.

“Numri i vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritjen më të lartë prej 30,0 %. Në Zonat Jo-bregdetare ky tregues është rritur me 51,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në “Hapësirat për kampingje, për parqe, për çadra ose rulota argëtimi” ka shënuar rritjen më të lartë prej 2,7 herë” vlerëson INSTAT.

Netë-qëndrimet

Gjatë muajit qershor, numri i netë-qëndrimeve gjithsej është rritur me 37.9 për qind, në krahasim me muajin Qershor 2021.

Numri i netë-qëndrimeve të vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në rajonin e veriut ka shënuar rritjen më të lartë me 39.7 për qind. Në zonat jo-bregdetare ky tregues është rritur me 48.3 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Numri i netë-qëndrimeve të vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në “Hapësirat për kampingje, për parqe, për çadra ose rulota argëtimi” ka shënuar rritjen më të lartë prej 3.9 herë.

Në muajin Qershor 2022, numri më i lartë i netë-qëndrimeve është realizuar: sipas rajoneve në “Rajonin Qendër“ (41.9 për qind); sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (77.5 për qind); sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (94.0 për qind)”, thuhet në publikim. /Telegrafi/

Exit mobile version