Site icon Telegrafi

Turizmi i bardhë, Valbona destinacioni i preferuar

Sezoni i turizmit dimëror ose turizmi i bardhë, tashmë ka nisur dhe biznesi privat i ka filluar përgatitjet, ka ngrohur ambientet pritëse dhe kërkon ndihmën e pushtetit lokal dhe atij qendror në mirëmbajtjen e rrugëve e shërbimeve energjetike e mjekësore për të qenë në lartësinë e duhur. Flitet për zonat e veriut të vendit ku dhe prania e dëborës është më e madhe dhe më e vizitueshme.

Thethi është vend i bukur për t’u vizituar, por është shumë vështirë për të shkuar atje në dimër, sepse, sipas informacionit që kemi nga Drejtori i AdZM Shkodër, Agim Dardha, nga Qafë-Thorë deri në Theth, rruga është e vështirë dhe kalohet me mjete të larta. Ndërsa për në Razëm është e mundshme.

Po kështu, vështirësi në periudhën e dimrit paraqesin edhe Valbona. Besnik Hallaçi, specialist i AdZM Qarku Kukës që mbulon zonën e Tropojës, konfirmon për ATSH se rrugë-kalimi drejt Luginës së Valbonës është i kalueshëm dhe vizitorët e bardhësisë janë të përditshëm por sidomos në fundjavë. Halluçi thotë se më të shumtit vijnë nga Kosova, por pritet që ndërrimi i viteve t’i gjej hotelet dhe bujtinat vendase të mbushura, sepse pronotimet pothuajse janë mbyllur.

Turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve.

Tashmë dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror.

Dimri është një mundësi po aq bindëse për të kaluar bukur dhe ndryshe përmes udhëtimesh apo sporteve dimërore, peizazheve dhe natyrës së bukur. Në natyrën tonë ka disa vende që preferohen për pushimet dimërore.

Destinacionet më perfekte për të provuar një aventurë të tillë, çmimet dhe alternativat që ato ofrojnë, mundësitë infrastrukturore që deri diku janë të përballueshme në mënyrë normale, janë edhe Razma e Boga, në veri të vendit mbi Shkodër, por edhe Voskopoja e Dardha në zonën e Korçës.

Edhe Razma ofron mundësi për zhvillimin e disa llojeve të turizmit, më i frekuentuar është ai i skive në morenat akullnajore, sidomos në Fushën e Zezë e në fushën sportive të kampit të Razmës, etj.

Po kështu dhe Boga sipër Razmës është një destinacion tepër interesant për turizmin dimëror.

Këtu keni mundësi të akomodoheni në disa shtëpi pritëse mjaft komode, të ushqeheni në restorantet e fshatit, të provoni gatimet tradicionale si, mishin e fërlikut, jardunin e deles, djathin e zier, kaçamakun, patatet në kaki etj.

Biznesi i turizmit të dëborës ka nisur përgatitjet për të pritur vizitorët e shumtë që preferojnë këto lartësi të ashpra malore që nisin me malësinë e Shkodrës e vazhdojnë me ato të Tropojës, Kukësit, Peshkopisë e të jugut të Shqipërisë. Ne sot u njoftuam për lartësitë e veriut me Thethin e Valbonën, por ndërrimi i viteve do të ketë më shumë vizitorë të lartësive të bardha. Dhe të parët kanë mbërritur bashkë me festën e Krishtlindjes.

Ata janë vendas dhe të huaj që kanë nisur pronotimet hotelerike. /ATSH /Telegrafi/

Exit mobile version