Një turiste franceze ka mbetur e lënduar pasi është rrëzuar në një përrua në fshatin Kosovë në njësinë administrative Piskovë në Përmet.
Turistja franceze bashkë me pesë të tjerë, ka qenë duke eksploruar me këmbë zonën, dhe është rrëzuar duke dëmtuar gjymtyrë dhe nuk mund të vijonte rrugën në këmbë. Është dashur ndërhyrja e helikopterit për ta nxjerrë nga gremina dhe për ta dërguar në spitalin e Traumës.
Njoftimi i Policisë:
Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me shërbimet e emergjencave civile dhe ekipin mjekësor bënë të mundur nxjerrjen e saj, në një vend ku helikopteri mund të ulej, dhe e transportoi drejt Tiranës për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka marrë njoftimin se në fshatin Kosovë, njësia administrative Piskovë, 5 turistë francez, duke eksploruar me këmbë zonën, kanë mbetur të bllokuar në një luginë (përrua), ku njëra prej tyre ishte rrëzuar dhe kishte dëmtuar gjymtyrë dhe nuk mund të vijonte rrugën në këmbë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet në bashkëpunim me shërbimet e emergjencave civile dhe ekipin mjekësor u nisën në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët dhe bënë të mundur shpëtimin e tyre. /Telegrafi/