Shpella e Gadimes është shpella më e njohur në Kosovë dhe aktualisht është e vetmja e përgatitur për vizitorë në Kosovë.
Pasuri e shpellës, që e bënë të veçantë është prezenca e aragoniteve të cilat si stoli shpellore janë dukuri të rralla.
Ndër vizitorët e veçantë të kësaj shpelle, është edhe qytetari zviceran Rene Alleman i cili e viziton për herë të parë Kosovën.
“Është hera e parë që vij në Kosovë. Për tri javë sa do ta shëtisë Evropën, vendi që kam dashur ta vizitoj gjithnjë është Kosova. Jam shumë i lumtur që jam këtu”, shprehet turisti nga Zvicra për RTV Dukagjinin.
Ai ka fjalë të mira për Kosovën, ku dallon mikpritjen e banorëve të saj, ndërsa Shpella e Gadimes i ka lënë më së shumti përshtypje.
“Kosova është vend i mrekullueshëm, sidomos mikpritja. Ajo që më ka lënë përshtypje është kjo shpellë. Është e bukur dhe interesante por edhe e mistershme”, shprehet ndër të tjera zvicerani Rene Alleman, përcjell Telegrafi.
Drejtoresha Adriana Pllana thotë se vitin e kaluar shpellën e kanë vizituar 40 mijë vizitorë.
“Para tri viteve kemi pasur rreth 25 mijë vizitorë, ky numër gradualisht është rritur, ndërsa vitin e kaluar kemi pasur diku 40 mijë vizitorë nga Kosova e diaspora, mirëpo këtë vit vërehet një rritje e numrit të vizitorëve të huaj”, shprehet Adriana Pllana, drejtoreshë e “Shpellës së Gadimes”./Telegrafi/