Telegrafi

Turisti nga Kosova bllokohet në Valbonë, shpëtohet nga policia e Tropojës dhe Emergjencat Civile të Kosovës

Në një terren të thepisur dhe të mbuluar nga dëbora në bjeshkët e Doberdolit në Valbonë, Policia e Tropojës, në bashkëpunim me Emergjencat Civile të Kosovës, i kanë ofruar ndihmë një turisti të bllokuar.

Rreth orës 11:00, Emergjencat Civile të Kosovës kanë njoftuar se tre tursitë nga Kosova, duke eksploruar aplet e Valbonës me motorë bore, kishin hasur në pengesa dhe kishin mbetur të bllokuar nga terreni i thepisur dhe dëbora.

Pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë në Tropojë, në bashkëpunim me Emergjencat Civile të Kosovës, kanë organizuar një operacion kërkimi për lokalizimin e turistëve.

Pas disa orësh kërkimesh, shërbimet e Policisë dhe Emergjencat Civile të Kosovës kanë arritur të lokalizojnë turistin e bllokuar në vendin e quajtur “Ura Pojanes”, ndërsa dy turistë të tjerë kishin arritur të dalin në zonën e Kosovës.

Turisti ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Ai ka falënderuar shërbimet e Policisë shqiptare dhe Emergjencat Civile të Kosovës, për ofrimin e menjëhershëm të ndihmës.

Drejtoria Vendore e Policisë Kukës fton qytetarët që për çdo rast të nevojës për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112. /Telegrafi/