Site icon Telegrafi

Turisti gjerman kishte humbur orientimin nga Valbona në Theth, ndihmohet nga policia

Policia e Shqipërisë ka gjetur dhe ndihmuar një turist gjerman që kishte humbur orientimin nga Valbona në Theth më 17.10.2024.

Sipas një njoftimi, në stacionin e Policisë në Theth është paraqitur një turiste gjermane, e cila kishte deklaruar se gjatë rrugës për eksplorimin e zonës, nga Valbona në Theth, vëllai i saj kishte ngatërruar rrugën dhe për këtë shkak nuk kishte më kontakte me të.

Menjëherë pas njoftimit, Policia tha se shërbimet e nevojshme janë nisur në drejtim të shpellës së Pejës, për të lokalizuar dhe ndihmuar turistin që kishte humbur orientimin.

Policia theksoi se pas disa orësh kërkime nga zyrtarët është bërë e mundur gjetja e turistit gjerman, në gjendje të mirë shëndetësore, i cili më pas u shoqërua dhe u akomodua në një bujtinë në Theth.

“Turistët kanë falënderuar punonjësit e Policisë, për gatishmërinë dhe ndihmën e dhënë” – njoftoi Policia e Shtetit.

Tutje Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër tha se vijon të jetë maksimalisht e angazhuar për të garantuar sigurinë e turistëve dhe vizitorëve që zgjedhin vendin.

Exit mobile version