Telegrafi

Turisti çek rrëzohet në Gjirin e Filikurit, dërgohet në spital me gjymtyrë të dëmtuara

Një turist çek ka mbetur i plagosur këtë të diel pasi është rrëzuar në Gjirin e Filikurit në tentativë për t’u ngjitur me litarë.

Policia i ka ardhur në ndihmë dhe me pas e ka transportuar në spitalin e Himarës aty ku është duke marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

“U dëmtua gjatë eksplorimit të zonës në Gjirin e Filikurit dhe mbeti i bllokuar, Policia Kufitare i shkon në ndihmë turistit çek.

Sot, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, është marrë njoftim se në vendin e quajtur Gjiri i Filikurit, një turist i cili po eksploronte zonën ishte rrëzuar gjatë ngjitjes me litar dhe kishte dëmtuar gjymtyrët. Menjëherë u nis drejt tij Njësia Policore Detare e SPK Dhërmi e cila, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, ka lokalizuar turistin çek dhe e ka transportuar me mjetin e policisë kufitare në Portin e Himarës.

Shtetasi i dëmtuar është asistuar gjatë transportit edhe nga shërbimet e urgjencës mjekësore dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Himarës, nën kujdesin e mjekëve.

Policia Kufitare dhe Policia Vendore Vlorë janë të angazhuara maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve”, njofton policia.