Turistët e huaj të cilët kanë vendosur të vizitojnë kanionin e Matkës në Shkup, ankohen për shkak të papastërtisë së madhe që mbizotëron. Edhe pse Matka është një nga vendet turistike më të vizituara në Maqedoni është lënë në harresë nga autoritetet. TV21 sot intervistoi disa turistë që ishin të pranishëm në Matkë, por ata u shprehën të zhgënjyer nga ajo që panë atje, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Këtu jemi prej mbrëmë, jemi 13 veta na pëlqen shumë, i pamë kishat hotelin, ushqimi na pëlqen. Nuk është pastër aspak, ka gjësende të hedhura. Ne i mbledhim mbeturinat tona, por mundohemi që ti mbledhim edhe mbeturinat tjera që janë rreth nesh”, tha Georgi Milloshev, i cili me familjen e tyre kishin ardhur nga Bullgaria.
Ndërsa Muhamed Saiti, që jep me qira barkat e vogla për shëtitjet e turistëve, pranon se shumë turistë që vijnë e kritikojnë për papastërti.
Kryetari i komunës, Bekim Murati për TV21 tha se ka nevojë për punësimin e punëtorëve për pastrim, por punësimet e reja janë pamundësuar për shkak të krizës politike. Ai apelon që vizitorët të jenë më të kujdesshëm dhe mbeturinat ti hedhin në vendet e duhura.
Matka – Kanion i lumit Treska dhe që është degë e djathtë e lumit Vardar, ka një sipërfaqe prej 5 mijë hektarësh dhe ndodhet 17 km në jug perëndim të Shkupit.