Site icon Telegrafi

Turbulenca në ajër, rreth 15 pasagjerë të lënduar – pamje që tregojnë tmerrin që u shkaktua brenda aeroplanit (Video)

Pamjet tronditëse tregojnë një kabinë të aeroplanit të mbetur në rrëmujë me ushqim dhe tabaka të rrëzuar në dysheme pasi u godit nga turbulencat e rënda duke bërë që disa pasagjerë të pësojnë lëndime dhe gjakderdhje hundësh.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pesëmbëdhjetë pasagjerë u lënduan kur aeroplani i Aerolineas Argentinas AR1303 po fluturonte nga Miami në Buenos Aires, me 192 persona në bord, u përball me kushte të tmerrshme ndërsa fluturonte mbi Brazilin perëndimor.

Pasagjerët që duhej të duronin këtë makth në Airbus A330, paraqitën pamjet në Twitter pasi ata aterruan dhe vendosën imazhet e “masakrës” së plotë brenda aeroplanit.

Përderisa në një fotografi shihen tabaka dhe ushqim të shpërndarë nëpër rreshta, në një video pasagjeri shihet duke mbajtur një pëlhurë letre të gjakosur – me gjasë pas një gjakderdhje në hundë.

Imazhet dramatike gjithashtu tregojnë pjesën ku maskat e oksigjenit mund të shihen të varura.

Pas turbulencave, bëhet e ditur se aeroplani më pas vazhdoi në Aeroportin Ndërkombëtar të Ezeiza në kryeqytetin argjentinas, ku tetë nga udhëtarët e lënduar u dërguan në spital. /Telegrafi/

Exit mobile version