Futbollisti turk, Arda Turan, nuk i ka pranuar mirë pyetjet e gazetarëve në lidhje me gruan e tij, saqë e ka kërcënuar njërin prej tyre se do t’ia thyejë kokën.
31-vjeçari, i cili është kthyer në Turqi, më 12 mars u martua me partneren e tij, Aslihan Dogan.
Ai i ka shijuar në maksimum ditët e para të martesës duke kaluar çaste të këndshme pranë gruas së tij.
Gjatë fundjavës, Turan dhe bashkëshortja e tij kishin dalë për darkë në Nisantaci, qarkun në të cilin edhe i kishin shkëmbyer unazat.
Së bashku me ta ishte edhe vëllai i futbollistit, Okan Turan dhe partnerja e tij, mirëpo mbrëmja nuk kishte përfunduar mirë.
Derisa po largoheshin nga restoranti, ata u rrethuan nga gazetarët dhe fotografët. Njëri prej gazetarëve e kishte pyetur gruan e Turan rreth ceremonisë së thjeshtë martesore dhe se a i kishte arritur pritshmëritë e saj kjo gjë.
Aslihan ishte përgjigjur me gjuhën e shenjave, me gjestin e mbylljes së gojës, ndërsa gazetari vazhdoi më tej duke e pyetur: “Ta ka ndaluar Arda të flasësh?”.
Kjo pyetje nxiti reagimin e vrullshëm të Turan, i cili sipas NTV, i ishte drejtuar gazetarit me fjalët: “Ke respekt ose do ta shtyp kokën dhe sytë! Po flet me gruan time”.
Më pas, futbollisti dhe ata që e shoqëronin u larguan me një taksi duke penguar çfarëdo eskalimi të situatës. /Telegrafi/