Ministri i Drеjtësisë, Nikolla Tupançevski thotë se duhet shqyrtuar se nëse eкzistojnë hapësira ligjore për rigjykimin e rastit “Almiri” dhe “Lagjјa e Trimave”, por sipas tij nuk duhet të ketë monitorim ndërkombëtar për rigjykimin e të njëjtave.
Gjatë konferencës për media, ministri Tupançevski u pyet nëse ka marrë kërkesë nga Qeveria për rihapjen e lëndës për rastet e lartpërmendura, ai as nuk e pohoi dhe as nuk e mohoi kërkesën e pushtetit, por shtoi se po punon për të parë nëse ka ndonjë lëshim gjatë gjykimeve të mëparshme.
“Në pyetjet e deputetëve kisha të njëjtën pyetje për këtë temë, se a do të ketë rigjykim për rastet të cilat i përmendët. Po flas si jurist, nga aspekti formalo-juridik unë punoj seriozisht në lidhje me hapjen e cilitdo rast. Në këtë drejtim ekzistojnë mekanizma të tjerë të cilat mund të lejojnë që ata raste të rigjykohen, kuptohet përderisa me të vërtet kanë ndonjë defekt apo ndonjë anomali gjatë gjykimit, të rigjykohen sërish, por nuk duhet të ketë monitorim ndërkombëtar për rigjykimin e këtyre rasteve”, theksoi Nikolla Tupançevski, ministër i Drejtësisë.
Për rastin “Almiri”, gjykata e shkallës së dytë e ktheu lëndën nga e para, për shkak se kishte hasur në lëshime, gjatë mbarëvajtjes së procesit të gjykimit. Në gjykimin fillestar bazë për dënimin e Boban Iliqit, i cili e shtypi Almirin për vdekje, kishin qenë ekspertizat neuropsikiatrike dhe teknike, të punuar nga ekspertë të cilët gjatë kohës kur kishin punuar mbi ekspertizat kishin qenë me licencë jo valide. Boban Iliqi ishte dënuar me vetëm 6 vjet burg edhe përkundër videos që ishte publikuar në opinion ku shihej se si Iliq godet me makinën e tij familjen Aliu, e cila rezultoi me marrjen e një jete, atë të 4-vjeçarit Almirit.
Por me heqje lirie ishin dënuar edhe familjarët e Almirit, babai Sedati me 6 muaj burg dhe dy kushërinjtë Abdulla dhe Sami Demiri me nga 9 muaj burg. Edhe pse lënda u kthye nga e para dhe gjykata e shkallës së dytë kishte propozuar të mos merren parasysh ekspertizat e punuara nga ekspertë pa licenca, Gjykata e Kumanovës mori për bazë po të njëjtat ekspertiza dhe shqiptoi po të njëjtat dënime.
Procesi gjyqësor për “Lagjen e Trimave” zgjati dy vjet ku u shqiptuan 746 vjet burg për persona, ndërsa shtatë prej tyre u dënuan me burg të përjetshëm. Nga të akuzuarit, 19 persona janë shtetas të Kosovës, një i Shqipërisë dhe të tjerët nga Maqedonia e Veriut.