Site icon Telegrafi

Tupançeski: Sfida jonë më e madhe është zbatimi i ligjeve

Shoqata e Avokatëve të Maqedonisë së Veriut ka zhvilluar sot në qytetin e Strugës, takimin e 83-të më rradhë të avokatëve nga mbarë vendi, me ç’rast pjesëmarrës ka qenë edhe ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançeski.

Tupançeski në një fjalim rasti tha se avokatët dhe të gjithë njerëzit e ligjit dhe të drejtës, duhet të kontribuojnë që Maqedonia të jetë simbolikë e shtetit të drejtësisë.

“Oda e Avokatëve është një forum për dialog të hapur, me fokus në çështjet me interes të përbashkët për shoqërinë civile. Vetëm së bashku mund të realizoni dhe mbroni interesat tuaja profesionale, por edhe të tjera dhe në mënyrë të organizuar të ndihmoni dhe veproni në realizimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut si shtet i së drejtës”, tha Tupançeski.

Sipas tij, sfida më e madhe do të jetë krijimi i kushteve që legjislacioni të zbatohet në praktikë.

“Problemi i ligjeve është zbatimi i tyre. Prandaj, sfida jonë më e madhe është se si të krijojmë kushte që legjislacioni të zbatohet në praktikë. Ju bëj thirrje që të veproni në mënyrë të organizuar në ndërtimin dhe shtrirjen e sistemit juridik e politik si dhe në forcimin e ndërgjegjësimit juridik duke iu përshtatur nevojave të kohës”, theksoi ministri i Drejtësisë.

Duke folur për reformat në sistemin juridik, ai iu referua hartimit të disa zgjidhjeve ligjore, ndër të cilat ligjet për përgjegjësinë civile për shpifje dhe fyerje, Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, Avokatinë, procedurën civile, parandalimin e korrupsionit, Kodit të ri Penal, ligjit për konfiskim të pasurisë, për tatimin mbi të ardhurat personale, si dhe ligje të tjera.

Tupançeski përmendi edhe miratimin e fundit prej katër ligjeve që rrisin pagat e punonjësve në sistemin e drejtësisë dhe prokurorisë për 15% përqind.

Exit mobile version