Telegrafi

Tupançeski në takim me drejtorët e burgjeve: Mbipopullimi dhe mungesa e kujdesit shëndetësor janë problemet më të mëdha

Ministri i Drejtësisë Nikolla Tupançeski sot ka pasur takim me të gjithë drejtorët e burgjeve, me të cilët ka diskutuar për problemet me të cilat përballen këto institucione.

Në takim është konstatuar se problemet më të mëdha në burgje janë mbipopullimi, mungesa e kujdesit adekuat shëndetësor për të dënuarit, mungesa e personelit adekuat.

Sipas ministrisë së Drejtësisë, është rënë dakord që menjëherë të nisë zgjidhjen e problemeve të akumuluara prej vitesh.

“Do të ndërhyhet në Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve për përmirësimin e kushteve të personelit të burgjeve. Do të intensifikohet komunikimi me drejtorët e burgjeve për të krijuar kushte më të mira për të dënuarit dhe për të parandaluar dukuritë devijuese”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ata theksojnë se në periudhën e ardhshme ministri Tupançeski do t’i vizitojë burgjet për t’u njohur personalisht me gjendjen.

Në takim ka marrë pjesë edhe drejtori i Drejtorisë për ekzekutim të sanksioneve, Marjan Spasovski./Telegrafi/