Në tunelin e Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit, po punohet për betonimin e 400 metrave të fundit. Puna nuk është ndalur për asnjë moment, ndërkohë që gjeologjia dhe burimet e shumta ujore në zonë kanë ndikuar në ritmin e punimeve.
Puna po vijon në të dyja drejtimet duke synuar që në fund të këtij viti tuneli të hapet për qarkullimin e automjeteve, duke përmbyllur kështu një prej veprave më të rëndësishme të Rrugës së Arbrit.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, si dhe përfaqësues të firmës e cila po realizon punimet ishin në kantier ku ndoqën nga afër ecurinë e kësaj vepre.
87% është ecuria e punimeve deri më tani, ndërsa përfaqësuesit e kompanisë prezantuan me detaje volumin e madh të punës që është realizuar në këtë tunel, duke ju përgjigjur edhe gjeologjisë problematika që ndodhet në zonë. Gjithashtu pjesë e kësaj vepre janë edhe 11 tunele lidhëse të cilat lidhin tunelin kryesor me atë të emergjencës.
Zëvendëskryeministrja Balluku gjatë inspektimit theksoi rëndësinë që ka kjo vepër e cila do të shkurtojë ndjeshëm distancën mes qarkut të Dibrës dhe kryeqytetit, duke nxitur njëkohësisht edhe zhvillimin ekonomik të zonës, ku vitet e fundit është rritur numri i njësive akomoduese si dhe numri i vizitorëve.
Puna në tunel vijon me ritme të shpejta, tha Balluku, duke synuar përfundimin e tij brenda vitit 2024.
“I kemi vënë vetes disa afate që unë shpresoj shumë që ti mbajmë, pasi ky është një akses i jashtëzakonshëm për në verilindjen e vendit dhe më pas për në veri. Dibra e ka shumë të rëndësishme këtë rrugë, por jo vetëm Dibra, pasi sot e gjithë krahina e Matit gjithashtu është duke u zhvilluar nga ana e agroturizmit dhe nga ana e njësive të tjera industriale. Duhet thënë që është një akses për në dy pika kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe sigurisht është një nga rrugët më të rëndësishme që lidh kryeqytetin. Kështu që unë shpresoj shumë që ky tunel, si përfundim dhe kurorëzim i kësaj vepre, i të gjithë Rrugës së Arbrit, të mbyllet brenda vitit 2024 dhe me gjasa duket sikur gjërat po ecin”, bëri të ditur Balluku.
Tuneli i Murrizit ka një gjatësi prej 3.78 kilometrash dhe përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës. /Telegrafi/