Telegrafi

Tuneli i Kalimashit, zhgënjimi për mbylljen

Ndonëse pezullimi i lëvizjes përflitej qysh në muajin shtator, një urdhër i lëshuar pak ditë më parë nga Ministria e Transporteve ka bërë që dje në orën 19.00 të pezullohet plotësisht kalimi në këtë segment. Hapja e tunelit për fushatë zgjedhore dhe sezonin turistik, "anashkaloi" detajet teknike, për të cilat tashmë duhet të punohet për një kohë ende të papërcaktuar.

Shqetësimi që galeria veriore e tunelit të Kalimashit ishte vënë në funksion ende pa u përfunduar, ka ndezur edhe më parë një debat brenda personelit drejtues inxhinierësh dhe teknikësh. Burime nga firma kontraktuese pohojnë se është diskutuar që tuneli të mbyllej qysh në muajin shtator.

Në një takim të përbashkët mes firmës që po punon për ndërtimin e tunelit, asaj që merret me sigurinë, si edhe me përfaqësues të qeverisë shqiptare, përkatësisht të Drejtorisë së Rrugëve, është vendosur që tuneli të vazhdonte funksionimin edhe për pak javë, por, gjithsesi, debati ishte lënë i hapur.

Një inxhinier turk drejtues punimesh, ka thënë për "Shqip" se "tuneli jugor nuk do të mund të përfundojë aq shpejt sa pritej, pasi galeria veriore ka mjaft punë, për shkak të mangësive që paraqet. Në mesin e tunelit, në pjesën e pabetonuar, është deformuar dyshemeja nga presioni i tokës, sepse ende nuk është shtruar bazamenti përfundimtar".

Ndërkohë, inxhinierët komentojnë se ka qenë vërtet një guxim vënia në funksion e tunelit para se ai të përfundonte. "Inaugurimi i tunelit në fund të qershorit i ka sjellë Shqipërisë 800 mijë turistë më shumë, por mbajtja e sigurisë së tunelit dhe menaxhimi i trafikut të dendur ka kosto të madhe dhe përbën një risk edhe për jetën e udhëtarëve", ka thënë një inxhinier.

Ndërkohë, mbyllja e tunelit të Thirrës ka zhgënjyer udhëtarët, por edhe tregtarët, që tashmë janë të detyruar të shkojnë në kryeqytet apo diku tjetër, nga Qafa e Malit. Ndërtimi i autostradës dhe hapja e tunelit ishte konsideruar nga njerëz të ndryshëm si një rilindje kryesisht për Kosovën, por nga ku përfitonte i gjithë rajoni i Kukësit.

"Mbyllja e tunelit më ka prerë hovin e punës, nuk mund të marr përsëri udhën e Qafës së Malit, nuk udhëtohet më në rrugën e vjetër", tha një tregtar që bënte çdo ditë rrugën Kukës-Tiranë dhe anasjelltas. Nga ana tjetër, një numër agjencish kosovare të udhëtimit kanë anuluar prenotimet e deritashme për udhëtim drejt Tiranës, pasi qindra kosovarë kanë preferuar të mos udhëtojnë apo t‘i bien nga Maqedonia në vend që të përshkojnë udhën e Qafës së Malit.

Ndërkohë, mësohet se rruga e vjetër është dëmtuar në shumë vende gjatë muajve të fundit, kur ajo u braktis pothuajse totalisht. Deri në rihapjen e tunelit për qarkullimin në tërësi të njerëzve dhe vlerave parashihet një paralizim i gjithanshëm për çdo aktivitet tregtar dhe ekonomik, së pari për rajonin e Kukësit, por që do të fusë në vështirësi edhe Kosovën, e cila kishte filluar ta orientonte ekonominë në marrëdhënie drejt Shqipërisë. Për më tepër, ende nuk ka asnjë njoftim se kur mund të rihapet sërish, i përfunduar apo pjesërisht i përfunduar.