Telegrafi

Tuneli fle, rregullohet rruga mbi mal

Askush nuk mund të thotë me siguri se çfarë po ndodh realisht në galeritë e tunelit, të paktën lidhur me shembjen e fundit apo me atë se kur mund të bëhet sërish i kalueshëm për udhëtarët.

Një numër punëtorësh që punojnë në tunel tregohen të rezervuar, duke thënë se "nuk dimë asgjë", ndërsa kur takon ndonjë teknik apo inxhinier, pohojnë se çdo gjë është normale.

"Në tunelin e Kalimashit po punohet me ritme të mira. Në galerinë jugore ku ka ndodhur shembja, po punohet me mbushjen dhe betonimin e saj, ndërsa në galerinë veriore aktualisht vazhdohet me vendosjen e betonit si zakonisht", thotë një prej inxhinierëve, i kontaktuar me telefon. Ai shtoi se për avarinë e galerisë jugore kishin ardhur ekspertë të kompanisë nga SHBA dhe se krahas mbushjes së pjesës së shembur, të hinkës së krijuar, po shihej mundësia që galeria veriore të rihapej sërish për udhëtarët për festat e fundvitit. Por asgjë nuk mund të thuhet zyrtarisht pasi, siç tha një inxhinier nga Kukësi, me tunelin "po spekulohet" nga të dy krahët politikisht.

"Për mua nuk ka asgjë për të fshehur dhe as për alarmim të gjendjes. Ka ndodhur shembja, siç ndodh kudo në tunele, aq më tepër që ende ndodhet në ndërtim e sipër, dhe ka kohë të riparohet", tha ai. Ndërkaq, një mendim tjetër që qarkullon është rihapja përkohësisht e galerisë jugore, për të realizuar lëvizje njëdrejtimëshe, siç u bë në verën e këtij viti. Deri atëherë, edhe vetë punëtorët dhe personeli i tunelit kalojnë ose nga "by pass" ose nga Qafa e Malit.

"By pass"-i Kalimash-Thirrë

Ndërsa Tuneli i Kalimashit "fle" për t‘u zgjuar ndoshta për vitin e ri, siç flitet, është zgjuar interesi për "by pass"-in e Kalimash-Thirrës. Mësohet se kompania "Bechtel-Enka" ka dërguar në aksin e ashtuquajtur ‘by pass" të Kalimash-Thirrës një fadromë të madhe, si dhe disa kamionë që shkojnë e vijnë duke çuar atje çakëll. Një punëtor i makinerisë ka treguar thjesht se është porositur që bashkë me disa makineri të tjera të sistemojnë disi këtë rrugë të vështirë, ndoshta për nevoja të vetë kompanisë, por edhe të udhëtarëve. Me kohë është ngritur mjaft zhurmë, edhe në media, që "by pass"-i i Kalimashit të ishte vënë në funksionim për të shërbyer si alternativë për autostradën pa depërtuar në tunel. Por ashtu,si për tunelin, edhe për "by pass"-in, asgjë e saktë nuk thuhet. Drejtoria rajonale e rrugëve në Kukës tregon se kjo rrugë nuk gjendet askund në inventarin kombëtar të rrugëve, ajo thjesht nuk figuron të jetë një "rrugë". "Mbikalimi Kalimash-Thirrë nuk është në inventarin tonë të rrugëve, nuk është as në ato të hartës rajonale të rrugëve dhe as në ato komunale", thotë drejtori i Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve, Rushit Gashi. Ai shton se nisur nga fluksi i madh i mjeteve që duan të përshkojnë atë rrugë, ishte diskutuar edhe në dikasterin qendror në Tiranë. Por duheshin kryer më parë disa procedura ligjore për ta ligjëruar si rrugë, të çfarëdo kategorie, por të paktën të njihej si e tillë, e më pas të merrej ndonjë vendim për të investuar në të. Edhe prononcimet e zyrtarëve se në atë segment mund të bëhet një investim prej disa milionë eurosh, kanë qenë thjesht një dëshirë. Ministria e Transporteve dhe DPRR në njoftimin e mbylljes së tunelit më shumë se një muaj më parë kanë dhënë si aks zyrtar të lëvizjes së mjeteve atë Qafës së Malit dhe Fushë-Arrëzit. "By pass"-i Kalimash-Thirrë tërheq megjithatë gjithnjë e më shumë interesin e udhëtarëve, aq sa në Kukës, tek agjencia e autobusëve dhe furgonëve, dëgjon thirrjet, "hajde për Tiranë nga Thirra". Madje një shofer nga Kukësi u shpreh se këto ditë ishte detyruar të shiste furgonin, për të blerë një tjetër që i përshtatej kësaj rruge, në mënyrë që të mos humbte pasagjerët. /gazeta shqip/