Telegrafi

“Tundimet satanike” nuk janë më tabu

Individi në kërkim të fatit dhe të dashurisë, por edhe i tunduar nga veset. Një shfaqje ku e mira dhe e keqja që vihen përballë, por kësaj here në një tjetër dimension.

Edhe pse vepra është ndërtuar me nocione fetare e biblike, ideja kryesore që përcillet me anë të kësaj shfaqjeje është se për të arritur diçka në jetë, pavarësisht fatit, të duhet një luftë e madhe. Këtë peshë e ka marrë përsipër koreografi Arian Sukniqi, i cili bën përgatitjet e fundit para mbrëmjes së madhe.

“Bëhet fjalë për lirikat e ‘Carmina Burana’, një vepër koreografiko-vokale e kompozuar nga kompozitori gjerman Karl Orf. Një grup i madh profesionistësh janë duke punuar për të vënë në skenë ‘Carmina Burana’, një balet që dikur ishte tabu. Kjo vepër është përshtatur për realitetin shqiptar dhe, po ta shikosh, duket si një tjetër shfaqje nga ato që unë kam dhënë në këto shtete”, shprehet Sukniqi.

Por koreografi është munduar të sjellë dimension dhe hyrje të reja, në mënyrë që kjo shfaqje të jetë gjigante. Në këtë kërkim, që është njerëzor dhe i gjithhershëm, ai bëhet pjesë e shumë ambienteve. Njihet me të mirën dhe të keqen. Ai nis në këtë mënyrë të njohë jetën. I ndodh edhe të zhgënjehet, të infektohet nga ngarkesa e shoqërisë, por po aq nis edhe ta dojë atë.

Kështu nis të shpërfaqet edhe figura e djallit, i cili i fanitet në çdo moment, duke i prishur gjithçka që personazhi kryesor nis të ndërtojë. Djalli e shtyn atë drejt veseve. Nis të pijë alkool, fillon të frekuentojë kazinotë, luan me letra bixhozi (që janë të projektuara edhe në skenë). Me pak fjalë, vepra i bën vetëm koment fatit të mirë dhe të keq, ndërsa strukturën konceptuale koreografike e ka krijuar koreografi Arian Sukniqi.

Si koncept bazë shfaqja do të zhvillohet në formën e një muzikali, nën një gjuhë koreografike me dominancë neoklasike. Për t’u theksuar është se, përveç trupës së baletit, të gjithë pjesëmarrësit do të aktrojnë në skenë. Shfaqja zgjat një orë e dhjetë minuta, një shfaqje e cila është ndryshe nga ato që ne jemi mësuar të shohim. Shfaqja e kësaj vepre përkon dhe me “Javën Gjermane të Kulturës”, apo siç ka nisur të quhet “Tetori gjerman”. /Korrieri/Telegrafi/