Telegrafi

Tuna zbarkon në një nga zonat më të rrezikshme në Siri, në ndihmë të fëmijëve të prekur nga lufta

Këngëtarja e njohur shqiptare, Tuna Sejdi, këto ditë ndodhet me një mision të veçantë në Siri.

Ajo i është bashkuar organizatës bamirëse “For Children Smile” me seli në Zvicër, e cila përqendrohet në ndihmën ndaj fëmijëve të prekur nga lufta apo fatkeqësitë natyrore.

Tuna ka publikuar në rrjetet sociale imazhe të ndryshme nga vizita e saj në shtetin sirian, i cili po mundohet të rimarrë veten pas shkatërrimit nga lufta e fundit shumëvjeçare.

Foto: For Children Smile/Instagram

Së fundmi, këngëtarja shkupjane së bashku me ekipin e organizatës joqeveritare kanë arritur në qytetin verior të Idlibit – që njihet si një nga zonat më të prekura nga lufta në Siri e cila ende shquhet si zonë me rrezikshmëri të lartë.

Është raportuar që vetëm pak ditë më parë, forcat e Assad të ndihmuara nga aleatët rus me sulme ajrore vranë pesë fëmijë e plagosën dy të tjerë në këtë qytet.

Në fotografitë e shpërndara nga Tuna në rrjetet sociale, artistja shqiptare mund të shihet e buzëqeshur teksa viziton fëmijët sirianë dhe iu dhuron atyre lodra e gjësende të tjera nga organizata “For Children Smile”.

Foto: Tuna Sejdi/InstaStory

Siria përndryshe ende shquhet si territor fragjil, ku lufta vazhdon, ani pse viteve të fundit situata është më e qetë. /Telegrafi/