Site icon Telegrafi

Tuna mos të pritë!

Ilustrim

Kur kishte arritur në Marsejë të Francës, Tuna, kishte kuptuar se duhet të paraqitet në qendrën e emigrantëve. Nuk kishte ide çka mund ta pyesin aty. Nuk kishte haber për gjuhën frënge. Kishin sjellë një përkthyes shqiptar. Ishin vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore.

Pyetja e parë: Emri e mbiemri?

– Tunë Tuna! – përgjigjet Tuna!

– Emri i babës?

– Tunë!

– Emri i gjyshit?

– Tunë!

– Emri i stërgjyshit?

– Tunë!

Agjenti ndalet dhe ndanë shënimet për Tunën. Ky njeri i duket i dyshimtë.

Luhatë kokën, dhe vazhdon pyetjet.

– Prej nga vjen?

Tuna heshtë pak dhe vazhdon: Nga Jugosllavia! Nga Kosova!

Agjenti vazhdon;

– Ku është ajo Kosova?

Tuna i hutuar fare ishte përpjekur të thotë diçka, por e kishte mund frika.

Në atë gjendje emocionale i thotë përkthyesit shqip; kam ikur nga ushtria e Jugosllavisë! Frikohem mos me kthejnë! Deri këtu iu kam shmangur çdo kontakti me policinë.

Duhet të presë disa javë, e ndoshta edhe më shumë, i kishin thënë Tunës. Na duhet të kuptojmë të vërteten për Tunë Tunën, kishte përfunduar pyetjet agjenti.

Pas disa javësh ia kishin lëshuar lejen e qëndrimit të përkohshëm.

Me këso biografie nuk ishte vetëm Tuna i katërt i Tunës!

Edhe Mixha Man që kishte lindur njëzetenjë vjet para Tunës së tretë nga Shurrëpela, të cilin e ëma e kishte sjellë në jetë në Selanik, duke u kthyer familja e tij nga Turqia.

Mixha Man kishte lindur e ishte rritur në vendlindjen e tij, në Zezë. Tunës së katërt i kishte ra hise të kalonte jetën në katër shtete, ndërsa Mixhës Man në gjashtë shtete. Po të mos merrej Grremçi me disa letra që ia kërkonin në komunë, askush nuk do të mësonte kurrë që ka ekzistuar Mixha Man, i cili ishte regjistruar me dëshmitarë në vitin 1971.

Po aq misterioze del të jetë edhe puna e Karaxhës nga Zeza, megjithëse ishte regjistruar sipas të gjitha ligjeve të hyqymetit.

Në një çajtore të qytetit, kishte rastisur që Grremçi të takohet me Tunën e katërt.

– Unë jam Tuna, ishte prezantuar ai.

– Unë jam Grremçi !

Tuna nuk kishte ardhur rastësisht në atë çajtore. Atë e kishte orientuar dikush që e njihte mirë Grremçin.

Emri Tunë dikujt i duket që është i gjinisë femërore, por Tuna ishte burrë me mjekër.

Grremçi kishte kohë që merrej me këso fatesh inatçore, të bezdisshme, plot kthesa, me shumë dhembje e lot.

Gjithçka që thuhej i ngjante përrallës së njohur: “Tri fatet dhe ujku”.

Derisa Mixha Man, ishte përpjekur gjithë kohën t’i ikte pushtetit( rekrutimit osman), Babai i Tunës së katërt kishte lindur në Selanik duke u kthyer familja e tij nga Tuna e Turqisë. Tuna i tretë, në të vërtetë kishte lindur në rrugë, pikërisht në atë vit kur Perandoria osmane kishte marrë fund.

Kur bullgarët kishin pushtuar fshatin Shurrëpelë, shumë fshatarë kishin ikur por edhe shumë të tjerë kishin qëndruar aty.

Derisa gjyshin Tunë e kishin vrarë bullgarët ditën që kishin hy në fshatin Shurrëpelë, babai i këtij Tunës që lindi në Selanik, me dy vëllezër, me tri nuse dhe me gjyshen ia kishin dal të ecin për shumë ditë me qerre të kive deri afër Sofjes në Bullgari. Prej aty, pas disa javësh, me marrëveshje mes shteteve të asaj kohe, këta refugjatë i kishin transferuar në Quperli të Turqisë. Aty kishin kaluar disa muaj e pastaj i kishin ndarë në grupe. Familja e Tunës kishte pasur fatin të katandisët në qytetin Tunë të Turqisë.

Karaxha kishte lindur në Jugosllavi. Ishte rritur në vendlindje. Kishte gjet punë në Beograd, ku edhe ishte pensionuar. Familja e tij e kishte shpallë të zhdukur në luftë. Ai pasi pensionohet kthehet në vendlindje shendosh e mirë.

– “Si u kthye, si s’u kthye Karaxha”, thoshin zijoshët.

Kush e di sa të zhdukur kurrë nuk kanë qenë të shënuar në defterët e hyqymetit, dhe askush nuk merret me ta.

Si bëhet që Tunës nuk ja pranuan letrat e Francës që së paku të vdiste në vendlindje?

Si bëhet që Ky Karaxha është gjallë, ndërsa emri i tij është në listën e të zhdukurve?

Grremçit kishte filluar t’i mbushet mendja mos ka shkalluar vetë nga pleqëria!

Dy vjet u mor me punën e certifikatës së vdekjes së Mixhën Man, por mbeti peng në shehrin e Mustafë Agës ku ka vdekur e ku është varrosur mixha.

Grremçi bisedonte vet me veti bash sikur ta kishte gjykatësin përpara.

– Tuna mos të pritë! Vofsh ku bren miza hekur, o zotëri gjykatës, mallkonte me zë. Pastaj kthehej e qeshte vetmeveti!

Kishte menduar në pleqëri, që edhe vetë të iku diku azil. Pastaj iu kishin kujtuar fjalët e nënës kur i kishte thënë plot mllef: “Tuna mos të pritë!” “Vafsh ku brenë miza hekur!”….

Profesori zbuloi se Tuna ishte emër i vërtetë i një qyteti të largët në Turqi. Po si u bë Tuna edhe emër i njerëzve tanë, pyeste vetën profesori?

Ndodhi që një Tunë ( i pari) (ndoshta ky emër është përtërirë më shumë herë) të vritet nga ushtria bullgare këtu në Vilajet.

Ndodhi që një Tuna i dytë me gjithë familje të shoh me sy qytetin Tunë dhe të jetonte aty për disa vjet me radhë.

Ndodhi që Tunën e tretë ta lindi nëna në Selanik, duke u kthyer pikërisht nga Tuna e Turqisë.

Tash po thonë se kemi ardhur nga një planet tjetër!- mendonte seriozisht Grremçi.

I dukej se askush nuk i ka faj pos vetes së tij. Po kujt i duhen këto histori, që herë herë duken krejt budallak.

A ta merr mendja se ka pasur shumë njerëz si Mixha Man që nuk janë regjistruar në asnjë defter, zotëri gjykatës, i thoshte vetvetes Grremçi?

– More zotëri gjykatës, sa duket unë e ti kemi mbetur në kurth?

Profesorit, akoma i duket sikur po bisedon me Tunën, me të cilin kishte pi çaj, dhe të cilit ia kishte transkriptuar në letër gjithë ditarin e jetës që kishte mbajtur i shkreti duke punuar e jetuar në periferi të Parisit.

Ata në komunë, lypin letër që ka vdekur mixha Man, po ku ta marrim?

Tunën e tretë e paska lindur nëna në zonën Krra-Krra!

– Haaa! Gremçi kishte qeshur me zë, duke pirë çaj!

I kishte njohur të tre këta njerëz. Kishte ndenjur me ta, por nuk i besonte askush.

– Kush lëshon letër për Tunën o njeri?

Nuk lëshuan asnjë letër për Tunën më të cilin kemi pi çaj në shehër.

Bile, ky Tuna, e kishte shikuar Grremçin drejt në sy dhe i kishte thënë shkurt: Dukesh shumë i pikëlluar, o njeri!

Dhe vërtetë more gjykatës, more dai, jam i pikëlluar çka po dëgjoj. Jam i pikëlluar jo vetëm për Mixhën Man por edhe për Tunën e gjallë që ishte atë ditë në çajtore, murmuriste më zë Grremçi.

Ndoshta edhe ai Tuna i tretë që kishte lindur në Selanik, ka ëndërruar të vdes në vendlindje.

Ky Tuna i katërt ishte kthye nga Parisi në Vilajet dhe kishte harxhuar gjithë kursimet që kishte fituar duke punuar.

E kishte sjellë puna të shkretin që të takohet me njerëz që nuk i njeh e të cilët kërkojnë pikërisht këso viktimash. Pasi ia kishin shitur një shtëpi të huaj, ia kishin marr 160.000 euro. I kishin thënë Tunës; këtu jeton një grua e vejë për ca kohë, dhe pasi ka dhoma mjaft, ajo nuk të pengon.

Tunës nuk i duhej gjë tjetër pos një shtrati, ku do ta bënte gjumin e natës. Pa u bërë disa muaj, ajo gruaja kishte ikur diku. Këta ‘trimat” që ia kishin marrë paret Tunës, i kishin thënë që ajo gruaja ka ikur me gjithë pare dhe nuk po e gjejnë askund. Shtëpinë duhet me e lirua pasi ka ardhur i zoti i saj.

Tuna kishte dal nga ajo shtëpi, dhe këta “trimat”, ia kishin siguruar një shtrat të përkohshëm në një shtëpi private për ndonjë ditë, kinse po kujdesën për të. Krejt këto fjalë i shqiptonte më zë Grremçi aty në çajtore.

– Profesor! – A është e vërtetë kjo? – e kishte pyetur dikush në çajtore në vend të gjykatësit, i cili nuk ishte fare aty.

– E vërtetë është o gjykatës, po ku ti marrim letrat!-kishte fol me zë Grremçi.

Perandoria turke moti ka ikur. Edhe Serbia e parë ka ikur. Edhe ajo Serbia e dytë.

Kanë ikur edhe bugari, edhe italiani edhe gjermani.

Edhe Serbia e Tretë iku me letra. E neve more gjykatës që mbetem pa letra, kah t’ia mbajmë?

Tuna ishte përpjekur që të paraqes rastin diku në ndonjë gjyq, por nuk kishte adresë as për veti. Ishte i huaj në Vilajetin e të parëve të tij.

Ishte paraqitur ashtu sipas orientimit të njerëzve të rastit në gjykatën komunale për të treguar si e kanë mashtruar e plaçkitur disa “trima”, por të cilëve tash nuk ua dinte as emrat. Gjykatësi komunal i kishte kërkuar letërnjoftim Tunës, për të kuptuar adresën e tij, por ai nuk kishte.

Tuna i katërt kishte lindur në Shurrëpelë, por babai i tij Tuna i tretë kishte lindur çuditërisht në Selanik. Si kishte arritur aty? Ishte kohë lufte. Akoma asnjë nga shtetet që po dilnin nga Perandoria Osmane nuk kishin kufij.

Sa kishte qëndruar kjo familje në Tunë të Turqisë, nuk e di askush, sepse nuk ka letra. Kishin punuar burrat e gratë me gjithë fëmijët e kësaj familjeje dhe kishin kursyer çdo lirë, por të vendosur që të kthehen në vendlindje.

Kishin llogaritur mirë hesapin dhe krejt kursimet bashkë me unazat e vathët që kishin të gjitha gratë, kishin paguar transportin.

Në Selanik kishin arritur vetëm me shpirt në trup.

As nuk kishin kujt i drejtohen për ndonjë ndihmë.

O shoku gjykatës!

Po bash ky Tuna kishte ardhur në Kosovën e çliruar së paku të vdiste në vendlindjen e tij( të familjes së tij). Pengesë e madhe i doli pse kishte lindur i ati në Selanik.

Kur u kthye familja e tij nga Tuna në fshat, megjithëse kishte kaluar goxha kohë, megjithëse kishin ndodhur ndryshime të mëdha. njerëzit moshatarë ishin plakur e të rinjtë ishin rritur. Pushteti serb nuk e pranoi legalizimin e kësaj familjeje, megjithëse kishte pesëdhjetë dëshmitarë.

Realisht, zoti gjykatës , shumë dëshmi nuk përputheshin fare. Vetë pushteti ishte i ri (vetëm pushtuesi serb është ndërruar tri-katër herë).

Familja e Tunës kanë shkuar në Turqi, thoshte dikush.

Dikush thoshte janë kthye. Tre bashkëfshatarët që e kishin kthyer familjen e Tunës nga Selaniku, kishin vdekur ndërkohë.

Kur e kishte marrë ushtar regjimi i Titos, Tunës nuk e kishin pyet shumë për letrat. E kishin dërguar ushtar në Slloveni, shumë afër kufirit me Italinë. Ishte koha kur krejt Jugosllavia brohoriste: “Jetën e japim Triesten nuk e japim“ (serb: “Zhivot damo, Trst ne damo”!). Derisa ushtarët kishin brohoritur, Tuna kishte shikuar mirë kufirin sa është larg dhe ku mund ta gjente një shteg për të ikur.

Sa shpejt ndryshojnë gjerat o zoti Gjykatës.

Tuna mos të pritë!

Exit mobile version