Një analizë e bërë në mbi 13 mijë njerëz, zbulon se rreziku i kancerit, i shkaktuar nga Papillomavirusi, është më i madh për meshkujt që kanë pasur marrëdhënie me 5 ose më shumë partnere.
Nëse shikohet nga ana e shëndetit, seksi oral përbën më shumë rrezik për burrat sesa për gratë. Prej kohësh është vënë re që Papillomavirusi ose Hpv, që transmetohet gjatë marrëdhënieve seksuale, mund të shkaktojnë tumor të qafës së mitrës ose të gojës.
Tani, një hulumtim i ri amerikan ka zbuluar se rreziku i kancerit është më i madh për meshkujt që kanë pasur pesë ose më shumë partnere, me të cilat kanë praktikuar edhe seksin oral. Dhe nëse janë duhanpirës, shanset për t’u sëmurur janë edhe më të mëdha. Ndërsa numri i partnerëve, me të cilët kanë pasur marrëdhënie femrat, nuk duket i rëndësishëm.
Shumë lloje të kancerit, përmes marrëdhënieve seksuale
Disa nga 150 llojet e virusit Papillomavirus kanë një rol kyc në fillimin si të tumoreve edhe të neoplazmave malinje (lythat gjenitale) mashkullore dhe femërore: në fakt, është përgjegjësi kryesor për kancerin e qafës së mitrës dhe është treguar roli që ka në formimin e neoplazmave që prekin vulvën, vaginën, penisin dhe anusin (formë shumë e rrallë e kancerit) dhe karcinomën e gojës.
Edhe këto të fundit janë të rralla, por sipas vlerësimeve të paraqitura nga hulumtuesit amerikanë deri në vitin 2020, neoplazmat e zgavrës së gojës të shkaktuara nga Hpv (nga Human Papilloma Virus) do të jenë më të shumta se ato të mitrës.
Virusi transmetohet në gojë dhe në fyt përmes seksit oral dhe sipas statistikave të fundit, është përgjegjës për rreth 70% të rasteve të reja të diagnostikuara çdo vit nga kanceri i gojës, që zhvillohet në pjesën e prapme të fytit, në bazën e gjuhës ose të bajameve.
Vaksina e rëndësishme për meshkujt dhe femrat
Disa muaj më parë, një studim tjetër amerikan kishte zbuluar se gati gjysma e burrave në Shtetet e Bashkuara kishin një infeksion të virusit Hpv: incidenca e rasteve të kancerit orofaringeal është rritur që nga vitet 1980 dhe në 20 vitet e fundit dhe tek meshkujt rastet janë dyfishuar – thekson Amber D’Souza, docente në Shkollën Johns Hopkins Bloomberg të Shëndetit Publik në Baltimore, dhe autorja e parë e punës që sapo është botuar në revistën Annals of Oncology.
Të dhënat që gjenden në studimin tonë përsëri dëshmojnë për rëndësinë e vaksinimit universal kundër Hpv. Në fakt, në fillim kur u zhvillua vaksina kundër Hpv ishte përdorur vetëm për 12-vjeçaret (para se të kishte raportime), për t’i mbrojtur ata nga kanceri i qafës së mitrës. Në vazhdim, pasi u mblodh shumë informacion për dobinë e të bërit imun edhe meshkujt adoleshent, disa shtete pastaj vazhduan vaksinimin për të dy gjinitë.
Studimi: meshkujt më shumë në rrezik sesa gratë
Hulumtuesit e John Hopkins analizuan të dhëna nga më shumë se 13,000 njerëz ndërmjet moshave 20 dhe 69 vjeç, të cilët iu nënshtruan një testi oral për praninë e Hpv mes viteve 2009 dhe 2014. Doli që virusi është i pranishëm në rreth 1% te gratë (20 deri në 69 vjeç) dhe 6% tek meshkujt: virusi është më i shpeshtë tek meshkujt mes 50 dhe 59 vjeç, kur është i pranishëm në 8 subjekte nga 100.
Për më tepër, lidhja midis kancerit orofaringeal dhe praktikimit të seksit oral ishte i dukshëm, por përqindja e rrezikut ndryshon në të dyja gjinitë dhe gratë kanë më pak rrezik, pavarësisht nga numri i “partnerëve në shtrat”.
Në fakt, infeksioni Hpv ishte i pranishëm vetëm në 3% tek femrat që kishin pasur 10 ose më shumë partnerë gjatë jetës, kundrejt 14.4% të meshkujve.
Në veçanti, rreziku duket të jetë i lartë për burrat që kanë praktikuar seks oral me 5 ose më shumë partnere dhe që janë duhanpirës, sepse duhani është faktori tjetër i rëndësishëm i rrezikut, së bashku me konsumimin e tepruar të alkoolit.
“Edhe pse rastet janë në rritje, tumoret e gojës të shkaktuara nga Papillomavirusi mbeten të rralla, – përfundon D’Souza – por është e rëndësishme të kuptohet se kush ka më shumë rrezik për të zhvilluar një neoplazmë dhe nëpërmjet strategjive të caktuara të ndërhyjnë në kohë.