Site icon Telegrafi

Tullat e shoqërisë në murin mental

Tridhjetë vite pas realizimit, turneu i viteve 2010-13 i ideatorit Roger Waters, arriti të jetë ndër tri turnetë më profitabile të të gjitha kohëve, duke gjeneruar 460 milionë dollarë. Ndonëse u krijua në momentet kur Evropa kishte ndërtuar murin e ndarjes ideologjike, “The Wall” nuk është album politik, por një metaforë e izolimit dhe e rebelimit psikik.

Ëndrra mund të jetë ankth, ndërsa fama dhe paraja një hap drejtë neurozës. Ky është dënimi që ndjek sot a nesër yjet botërore që mbulojnë titujt e gazetave dhe të edicioneve qendrore të lajmeve televizive.

Në një skenë, para dhjetëra-mijëra adhuruesve dhe prapa ekzaltimit të dukshëm, idhulli mund të jetë një somnambul që nuk ndjenë gjë tjetër pos zhgënjimit. Ai shndërrohet në vëzhguesin që publikun e shikon në perden që shfaq një film tmerri që s’ka skenar e as përfundim. Të tilla janë edhe turmat, ndonëse ato i ka bashkuar një ideal e një idhull. Ato përbëhen nga individë të pavarur që lëndojnë njëri-tjetrin, duke u bëra tulla në muret që na izolojnë e na shpijnë drejtë shpëtimit fiktiv – vetmisë.

Ëndrra e dyshimtë

Viti 1979 ishte vit i eksperimentimeve të mëdha muzikore. Punk dhe disco ia lëshojnë vendin zhanreve të reja muzikore, si new-vawe dhe new-romanticism. Këngët e dashurisë dhe të paqes zëvendësohen me tema tjera më të frikshme dhe më morbide. Brenda Spencer në San Diego vranë disa nxënës me arsyetimin se “nuk i do të hënat”, dhe kjo makabër e inspiron Bob Geldofin për ta bërë një këngë. Heronjtë e dikurshëm të “fëmijëve të luleve” zëvendësohen me emra të rinj, nami i shumicës së të cilëve nuk i mbijeton ditët e sotme. Në këtë vit nisë të marr hov karriera e “Police”, “Boomtown Rats”, “Spandau Ballet”, “Duran Duran”, “Ultravox”, Pat Banatar, Joan Jett, Kate Bush, “UB40”, “Human League”, “Simply Minds”, “Joy Division”…. Ndërsa, U2 incizon albumin e parë, “U2:3”. Nga të gjithë këta emra, vetëm këta të fundit ia dolën të mbesin heronj të fëmijëve të tinejxherëve të dikurshëm. Por, jo me këngët e realizuara në këtë vit të shterpësisë kreative.

Derisa ëndërrimtarët e rinj famën mundoheshin ta mbërthenin duke eksperimentuar me tinguj elektronikë, me ritme më të ashpra, me piskama e imazh të çoroditur nga veshja e grimi, “Pink Floyd” e kërkonte të vërtetën që fshihet prapa famës.

Ata ishin yje, por cili ishte çmimi i kësaj? A është kjo ëndërr që ia vlen të ëndërrohet?

Përgjigjen mundoheshin ta zbërthejnë përmes rock-operës “The Wall” (Muri), të vitit 1979, dhe filmit – me të njëjtin titull – të realizuar 3 vite më vonë nga regjisori i madh anglez, Alan Parker. Ky albumi i dyfishtë, 23 herë i platinit e me mbi 30 milionë kopje të shitura në mbarë botën, vazhdon të jetë një nga albumet më avangarde dhe më të angazhuara të historisë së muzikës rock. Ndërsa muzika, inskenimi teatral në disa koncerte, e sidomos filmi, vazhdojnë të jenë sinonim i projektit konceptual artistik.

Viti 1979 ishte vit i proceseve politike që edhe sot mbajnë peng paqen në botë. Vietnami invadon në Kamboxhia, Kina në Vietnam, Tanzania në Ugandë e Bashkimi Sovjetik në Afganistan. Ayatollah Ruhollah Khomeini merr pushtetin në Iran, ndërsa Saddam Husein në Irak. Trazirat në Indi, puçet në Çad e Ganë, masakra në Republikën Qendrore Afrikane, lufta civile në Rodezi, tërmetet, atentatet, sulmet terroriste… ishin lajmet që mbushnin kryetitujt e gazetave. Pasojat e gjërave që kanë ndodhur atëherë, i vuajnë sot fëmijët e nipërit e fitimtarëve dhe humbësve të asaj kohe.

“The Wall” u krijua në momente kur Evropa veç kishte ndërtuar murin ideologjik që ndante Perëndimin e karakterizuar nga kapitalizmi dhe Lindjen nga komunizmi. Askush nuk dinte se cila do të jetë e nesërmja dhe kush do t’i nënshkruajë certifikatat e vdekjes: Zoti apo njeriu?!

Por, “The Wall” nuk ishte album e film politik, po psikologjik – një metaforë e izolimit dhe e rebelimit.

Muri psikologjik

Muri i “Pink Floyd” është muri që e ndërtojmë prej fëmijërisë, ku çdo përjetim dhe personazh mund të shndërrohet në tullë, e çdo tullë në një rend në murin që na shmangë nga arsyeja e realiteti, duke na drejtuar në vetëshkatërrim. Është ky muri që e ndërtojmë jo për ta mbrojtur veten nga të tjerët, po nga djajtë e brendshëm që na ndjekin e që na qojnë në çmendinë të cilën vetëm ne mund ta shërojmë – nëse jemi të fortë për ta ballafaquar veten me gjyqin tonë mental.

Muri në film është ndërtuar nga personazhi fiktiv Pink, që ishte bashkëdyzim i dy jetëve reale, të dy (ish) liderëve të grupit “Pink Floyd”: Syd Barret dhe Roger Waters. Ai (Pink) rritet në Anglinë e terrorizuar nga lufta, në regjimin ku Mbreti nënshkruan certifikatën e vdekjes së babait të tij në emër të detyrës dhe borxhit ndaj Atdheut, ku nëna e vetmuar e shndërron dashurinë në fobi obsesive të mbrojtjes së fëmijës, ku mësuesi është një tiran dhe egoist që nuk gjen metoda për t’i edukuar fëmijët po për t’i mbajtur të qetë, ku fama dhe duartrokitjet janë bomba që terrorizojnë individin, ku gruaja është një krijesë pa ndjenja që tradhton e të braktisë, ndërsa droga një opsion i çlirimit.

Pink ndjen se ishte i pafajshëm, në shpirt një fëmijë engjëll të cilin rrethi e shndërron në djall. Ai kishte ëndrra të vogla, jo më të mëdha se loja, të cilat ia rrënon shoqëria me dy fytyra: regjimi, familja dhe mësuesi që frustrimin e mbledhur në shtëpi e shfryen tek fëmijët e pafajshëm në shkollë.

Pink kalon në halucionacione, mendon se është një hero ideologjik, ndërsa koncertet e tij i percepton si marshe neonaziste të urrejtjes dhe të shkatërrimit. Ai ndiqet nga traumat dhe vdekja, ndërsa është i lodhur nga ideologjia e tij jetësore: droga, seksi e fama.

Pa dashje, rrethi e detyron ta zgjedh vetminë. Vetmia në rastin e tij është thjesht iluzioni i mbrojtjes dhe i shpëtimit. Ai e ndërton murin fizik, por me tullat e murit mental që rrezikojnë t’i shndërrohen në psikozë.

Mallkimi i turmave

Nëse analizohet e kaluara e “Pink Floyd”, muri – në kulmin e famës së tyre – ishte produkt i pashmangshëm. Ky grup gjithmonë ka bërë muzikë para një publiku të zgjedhur; para një grupi të vogël njerëzish që shkonin në koncertet e tyre me të vetmin qëllim: që të dëgjonin muzikën dhe të kënaqeshin me performancat vizuale që koncerti i tyre ofronte. Ky publik ishte si një elitë artistike që viziton galeritë apo teatrot, sepse e do dhe e çmon artin, dhe sepse këtë përvojë dëshiron ta ndajë e ta debatojë me të tjerët.

Por, gjërat përnjëherë ndryshojnë. Albumi “Dark Side of the Moon” i vitit 1973 i shndërron “Pink Floyd” nga një kult-grup në një mega-grup që ka hite në radio, miliona kopje të disqeve të shitura, dhe koncerte në stadiume futbolli. Publiku i vogël shumëfishohet në afro njëqindmijë tinejxherë euforikë, të etur vetëm për zhurmë, për kënaqësi momentale dhe dehje. Raporti dhe lidhja e veçantë mes publikut dhe grupit më nuk ekzistonte e madje as nuk kërkohej.

“Pink Floyd” kërkonte shpëtim duke u distancuar nga turmat e duke qëndruar larg tyre. Ëndrra e dikurshme rinore u pa që nuk ia vlente të ëndërrohej, sepse publiku është një turmë injorante, ylli është një viktimë, ndërsa përfitues të vetëm janë industria muzikore e udhëhequr dhe e dirigjuar nga menaxherët, promotorët e produksionet. Magjia e dikurshme u shkatërrua nga shifrat statistikore deri në masën sa disa anëtarë të grupit nisin ta urrejnë gjënë që më së miri dinë ta bëjnë: muzikën dhe koncertet.

Lodhja dhe frustrimi i anëtarëve të grupit kulmin e arrin gjatë turneut të albumit “Animals”, të vitit 1977. Në një koncert në Montreal të Kanadasë, një incident e bëri liderin e atëhershëm Roger Waters ta shoh jetën e tij më ndryshe. Teksa këndonte, publiku hedh fishekzjarrë, bërtet e fishkëllen. “Pirdhuni… a po shihni që po mundohem të këndoj”, bërtet ai. Por, gjërat nuk përfundojnë me kaq: Waters e pështynë një adhurues teksa ai mundohej të hipte në skenë. Ai kërkon falje, por sjellja e tij bëhet njolla morale të cilën do të mundohet ta arsyetojë gjatë tërë jetës së tij.

Tullat e fëmijërisë

Por, në fakt ishte frika dhe një hije tjetër që barrën e të qënit yll e bënte më të rënd: fati i ish liderit të grupit Syd Barret, i cili 10 vite më parë kaloi në çmendi dhe izolim të përjetshëm. Pink është e kaluara dhe e tashmja e Watersit, që lufton me të ardhmen e mundshme barretiane. Këtë të ardhme secili e ka pranë, por vetëm ai që është i vetëdijshëm për këtë, mundohet të gjejë mënyra për ta shmangur.

Jeta e Pinkut (Watersit) fillon me një boshllëk: me mungesën e babës që vritet gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe të kujtimeve për të. Ky është boshllëku që e ndjek; është dhembja e përhershme të cilën ai mundohet ta shmang, e me të edhe realitetin të cilin që në fëmijëri nuk gjen forcë ta ballafaqojë. Babai ia dha jetën dhe luftoi për mbijetesën e tij, por me vete e mori dashurinë dhe sigurinë që kësaj jete do t’i jepte më shumë kuptim.

Në anën tjetër është nëna e ve, biri i së cilës ia mban gjallë kujtimin për dashurinë më të madhe të jetës. Frika nga humbja e shndërron nënën në gruan që kufizon jetën dhe lirinë e tij. Ajo e do të birin – ngushëllimin e saj – por kjo dashuri shndërrohet në obsesionin që e bënë të mendoj vetëm për sigurinë. Ajo ia projekton të ardhmen; mendon se e di se cila është rruga që ai gjithmonë duhet ta ndjek, sepse Pinku – pa marrë parasysh vitet që kalojnë – vazhdon të jetë një foshnje për të.

I tillë ishte edhe shkollimi. Pink ndjek mësimet në sistemin që ngjason me letërsitë utopike e fantastiko-shkencore të viteve të mëparshme. Regjimi britanik, pas Luftës së Dytë Botërore synonte të korrigjonte gabimet e kaluara, të krijonte një model të ri të qytetarit të ndershëm e bindës (të cilin vite më parë e kishte luftuar me bomba). Por, ideologjia e re për krijimin e një shoqërie më të ngritur zbatohej nga mësuesit injorantë që tjetërsonin nxënësit duke i shndërruar në robotë. Përmes sistemit edukativ ata shkatërronin lirinë e tyre të të menduarit dhe individualitetin, duke mbjellë frikën dhe tendencën për dëgjueshmëri dhe heshtje. Fëmijët, sipas tyre, nuk dinin gjë dhe gjithçka që ata duhet të bëjnë është vetëm ajo që eprorët ua thonë.

Gjyqi mental

Këtu nisë rrugëtimi i Pinkut drejtë çmendurisë – ndërtimit të murit. Ai bëhet i famshëm, ka statusin e yllit dhe të mirat materiale që dikur i ka ëndërruar. Mirëpo, ëndrra e tillë është vetëm mashtrim, përderisa asgjë nuk e bënë të lumtur dhe përderisa ndjen se nuk ka asgjë.

Pink i shmanget komunikimeve, për çka ikën gruaja e tij e pas saj edhe shumë të tjerë. Dashuria është shpëtim, e ai nuk bënë gjë për ta realizuar atë. Në vend të kësaj, veten e sheh si viktimë të rrethit armiqësor shoqëror.

Në këtë konfuzion, izolimi mbetet i vetmi opsion i reagimit. E, ky izolim nuk i sjell gjë tjetër pos iluzioneve për të vërtetën. Pink e humb arsyen. Për të çdo gjë ka maskë, madje edhe dashuria. Ai e do babën, por e urren sepse nuk është pranë tij; e do nënën, por e urren sepse gjithmonë i ka bërë presione; e do fëmijërinë, por e urren sepse mësuesi e ka terrorizuar; e do gruan, por e urren sepse po e tradhton; e do famën, por e urren sepse ia mori shpirtin; e do murin që po e mbron, por e urren sepse po ia çan kokën e po e fut për së gjalli në dhe.

Pinku kalon në depresion dhe deluzione. E sheh veten si një diktator, si një lider-nazifashist, ku publiku është armata që pret urdhra nga ai. Pink bëhet shuma dhe personifikimi i të gjitha gjërave që urrente. Por, në një çast, në kërkim të shpëtimit, thotë: boll ma! Ai futet në gjyqin ku dëshmojnë vënësit e tullave, e ku gjykatësi i brendshëm e dënon me thyerje të murit.

Ky vendim në fakt ishte shpërblimi i tij – perspektiva e shpëtimit dhe e shpresës.

“Muri” i “Pink Floyd” është mur që e ndjek çdo njeri – kurdo dhe kudo. Këtë mur e ndërtoi Waters gjatë realizimit të albumit. Ai u bë obsesiv, duke imponuar çdo ide në grup, madje edhe largimin e anëtarit themelues, Richard Wright (të cilin pranon ta kthejë vetëm si instrumentist të paguar).

Muri i Watersit dhe Alan Parkerit flet për përgjegjësinë shoqërore, për rëndësinë e dashurisë dhe të komunikimit, të lirisë së të shprehurit dhe zgjedhjes, që shmangin rrezikun e shndërrimit të njeriut në diktatorin real apo imagjinar që urren. Waters nuk i përfilli këto mësime, për çka pasojat do t’i bartë edhe në vitet e ardhshme.

Prandaj, ky fakt e bënë më të fuqishëm e më të vërtet mesazhin e këtij albumi e të këtij filmi. Jeta e Watersit të bën të ndalesh pak e ta pyesësh veten: çka bëre, a je mirë?!

Inskenimi i The Wall, në Potsdamer Platz, pas thyerjes së Murit të Berlinit, më 21 korrik 1990, para afro 450 mijë vetëve në publik

 

Exit mobile version