Site icon Telegrafi

Tuchel vazhdon pa humbje, por Chelsea ndalet në udhëtim te Leeds United

Chelsea nuk ka arritur të fitojë në udhëtim te Leeds United në kuadër të javës së 29-të të Ligës Premier, pasi takimi përfundoi pa gola.

The Blues e filluan më mirë takimin, duke rrezikua pas vetë shtatë minutash lojë me anë të Kai Haverzt, por goditja e tij u ndal nga Illan Meslier.

Më pas, vendasit rrezikuan me anë të Tyler Roberts (16’), mirëpo shtylla shpëtoi Chelsean, pasi Eduard Mendy ishte i mposhtur.

Kur po përfundonte pjesa e parë, Haverzt doli edhe një herë përballë portierit, e që ky i fundit sërish bëri një pritje brilante.

Edhe 45 minutat e dytë filluan më mirë për Blutë e Londrës, me gjermanin (48’) që bëri një gjuajtje të fortë, e Meslier ishte sërish në vend.

Leeds më pas rrezikoi me anë të Raphinas, e goditja e tij në minutën e 55-të ishte si mos më keq, që përfundoi me lehtësi në duart e Mendyt.

Deri në fund, të dy skuadrat tentuan që me disa zëvendësime të reflektonin dhe të shënonin golin e fitores, por të dy portierët mohuan shanset e arta.

Pas javës së 28-të, Chelsea gjendet në vendin e katërt me 51 pikë, derisa në xhiron e 29-të do të ketë punë me Sheffield Unitedin. /Telegrafi/

Exit mobile version